Jordania është një kundërshtar relativisht i lehtë dhe fitorja ndaj saj në “Elbasan Arena” ka më tepër vlera morale para transfertës në Izrael. Më e rëndësishme në këtë 90-minutësh është mënyra e lojës së kuqezinjve, pasi është “prova gjenerale” para sfidës së tretë në grup për Ligën e Kombeve. Për këtë arsye, trajneri Kristian Panuçi nuk mendon të bëjë shumë eksperimente. Ai deklaroi në konferencën për shtyp se do të mundohet t’u japë minuta të gjithëve dhe në pjesën e dytë ndërrimet do të jenë të shumta, ndërkohë që nga minuta e parë do të zbresin në fushë shumica e titullarëve.
Tomas Strakosha është një pikë e palëvizshme në portë. Portieri i Lacios gëzon një formë të mirë dhe luan rregullisht në Serinë A, ndryshe nga Etrit Berisha, i cili ka humbur kuota, pasi ka qëndruar në stol periudhën e fundit me Atalantën. Në mbrojtje janë thuajse të sigurt Hysaj në të djathtë dhe Gjimshiti e Mavraj në qendër. Trajneri Panuçi synon që reparti i prapavijës të jetë sa më solid para ndeshjes në Izrael dhe fillimisht do të hedhë në fushë edhe ndaj Jordanisë titullarët. Ka një dilemë për krahun e majtë, ku na balotazh janë Lenjani dhe Binaku. Vetë trajneri italian sqaroi se ka thirrur Lenjanin këtë herë për shkak të përvojës që ai ka në raport me Demirin dhe për faktin se po luan rregullisht në Zvicër. Lenjani është lehtësisht i favorizuar për të luajtur titullar ndaj mbrojtësit të Malmoes.
Përpara mbrojtjes janë tre lojtarë që luajnë për dy vende: Basha, Xhaka dhe Lila. Panuçi do të zgjedhë dy prej tyre, me shumë mundësi dy të parët, për të thyer aksionet e kundërshtarit dhe për të organizuar lojën. Memushaj do të jetë më i avancuar në qendër dhe do të veprojë pas sulmuesit të vetëm. Për krahët e sulmit janë kandidatë Grezda, Gavazaj dhe Uzuni. Për këtë të fundit trajneri Panuçi foli me superlativa në konferencën për shtyp, por pa lënë të kuptohej nëse do të jetë titullar apo do ta aktivizohet si zëvendësues. Grezda pritet ta luajë në të djathtë, ndërsa njëri mes Gavazajt dhe Uzunit në të majtë. Synimi i trajnerit italian është që të ketë në fushë lojtarë që driblojnë dhe janë të shpejtë me topin, për të pasur sa më shumë befasi në manovrën sulmuese.
Balaj dhe Manaj janë dy sulmuesit që luajnë për një vend titullari, me shkodranin që ka më shumë shanse të luajë nga minuta e parë. Edhe Manaj është në formë, pasi ka shënuar disa gola në Spanjë me skuadrën e tij. Në pjesën e dytë pritet të ketë minuta edhe për Xhakomo Vrionin, lojtarin më të ri në moshë të kombëtares kuqezi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.