Sociale

Anglishtja që nga klasa e parë. MASR: Na e kërkoi Europa

Megjithëse  për herë të parë në Shqipëri gjuha angleze do të  mësohet që në klasë të parë, shpjegimi për arsyet e këtij vendimi u bënë të ditura vetëm pas këmbënguljes së gazetës ‘Si”, një jave pas  një njoftimi të thatë publik nga Ministria e Arsimit. 

Drita N., mamaja e Anjës e cila këtë vit do të frekuentojë klasën e parë nuk di ende më shumë se sa ai njoftim.

“Di vetëm se vajza ime do të jetë për një muaj me libër anglishtje në dorë dhe asgjë më shumë. Kjo më frikëson”, tregon Drita.

Dritan L. (emër i ndryshuar me kërkesë të personit), është mësues filloreje dhe tregon për Gazetasi.al se viti që kaloi ishte shumë i vështirë për nxënësit e tij të klasës së tretë, me futjen e anglishtes.

“Përfshirë dhe pandeminë, nxënësit e mi e kishin shumë të vështirë të mësoheshin me një mësues tjetër, një gjuhë tjetër. E mendonin anglishten si ajo që kishin mësuar në kukulla dhe televizor dhe për ta ishte e vështirë psikologjikisht të mësonin anglishten “e librit”.

Ai shprehet se shpesh nxënësit ishin të lodhur me volumin e lëndëve dhe disa herë është detyruar të krijojë lehtësira në lëndët e tij për ti lënë hapësirë gjuhës angleze ditën që ishte në orar.

Ministria e Arsimit tha për Gazetasi.al se futja e gjuhës angleze në klasë të parë vjen në bazë të rekomandimeve të Këshillit të Europës për fillimin e gjuhës së huaj në një moshë sa më të hershme. Për këtë MASR ngriti dy grupe pune që hulumtuan përvojat europiane dhe më gjerë për zhvillimin e gjuhëve të huaja në kurrikulën e arsimit bazë dhe përqindjen që zë kjo fushë në këtë kurrikul si dhe diskutuan dhe propozuan disa variante për zhvillimin e gjuhës angleze në klasë të parë dhe të dytë.

Më pas, sic thotë për Gazetasi.al Ministria e Arsimit, “u zhvillua konkursi për përzgjedhjen e teksteve të lëndës gjuhë angleze për klasën e parë sipas procedurave dhe ligjeve në fuqi” si dhe është hartuar plani i punës për trajnimin e mësuesve të gjuhës angleze dhe përgatitjes së materialeve mbështetëse të cilat do të zhvillohen gjatë vitit shkollor 2021-2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë