Kombetarja

Anglia mision i pamundur për Manajn dhe Strakoshën, Uzuni i pandalshëm

Gazeta Si - Verën që shkoi Tomas Strakosha dhe Rei Manaj u transferuan në Angli, aty ku luhet futbolli më i bukur i momentit. Portieri kuqezi në nivelin elitar, kurse sulmuesi një shkallë më poshtë, por te një skuadër me emër si Uatfordi.

Ishin lëvizje të rëndësishme edhe për Kombëtaren, sepse të luash në Angli, ku ëndërrojnë të gjithë, nuk është pak. Por varet se sa e përballon këtë futboll. Për të dy kuqezinjtë e përmendur më lart Anglia ka rezultuar një mision i pamundur. Të dy janë dorëzuar shumë shpejt, që në gjysmën e sezonit të parë.

Manaj kur prezantohej tek Uatfordi. Gazeta Si, 11 shkurt 2023

Si Strakosha, ashtu edhe Manaj, nuk arritën të linin asnjë shenjë në Britaninë e Madhe. Përkundrazi, janë cilësuar si blerje të dështuara nga tifozët. Manaj ka shkëputur marrëdhëniet me Uatfordin dhe është në kërkim të një skuadre të re. Me shumë mundësi do të kthehet në Itali.

Strakosha është kthyer në një mister te Brentfordi. Thuajse gjatë gjithë sezonit ka qenë jashtë skuadrës, për shkak dëmtimesh po jo vetëm. Nuk mundi të zinte vendin e titullarit, ndërsa në ato pak ndeshje që ka luajtur nuk është se ka lënë mbresa të veçanta. Edhe aventura e tij angleze duket e fikur ende pa u ndezur mirë.

Për Kombëtaren aktualisht porta dhe sulmi janë çështje shqetësuese. Përveç Strakoshës pa minuta, edhe portieri tjetër kuqezi, Etrit Berisha, nuk ka luajtur me Torinon, nga i cili është thuajse i larguar.

Uzuni feston nje gol me fanellen e Granades. Gazeta Si, 11 shkurt 2023

Për sulmin është një goditje e madhe mungesa e Armando Brojës për shkak dëmtimi, por të paktën trajneri Silvinjo mund të mbështetet te Myrto Uzuni. Beratasi është lojtari më në formë nga kuqezinjtë aktualisht.

Edhe në ndeshjen e së premtes ndaj Tenerifes ai realizoi dy gola me penallti, duke u ngjitur në kuotën e 17 golave në kampionat. Uzuni është shënuesi më i mirë i Ligës 2 në Spanjë, i shkëputur nga ndjekësit (i dyti në listë ka 10 gola). Nëse ruan këtë formë edhe për ndeshjen me Poloninë në mars, do të jetë një pikë e fortë e Kombëtares.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë