Kombetarja

Anglia fiton, por Kosova surprizon Europën me futbollin e saj

Kosova ka humbur mbrëmjen e sotme në ndeshjen e pestë eliminatore për kampionatin europian përballë Anglisë me shifrat 5-3. “Tre luanët” ndjeshëm më superior se dardanët dominuan për pjesën më të madhe të lojës dhe u imponuan me golat e yjeve botërore që kanë në gjirin e tyre. Por Kosova iu shkaktoi anglezëve atë që kishin 8 vite që nuk e kishin parë në shtëpinë e tyre, plot 3 gola të pësuar. Përtej humbjes në të gjitha mediet britanike për ekipin e Kosovës ka pasur vlerësime pozitive për vështirësinë që i shkaktoi Anglisë.

Kosova e gjeti e para golin, ende pa filluar mirë loja që në minutën e 2’ me anë të Berishës. Por ky gol ishte thjesht një shkëndi e Kosovës, pasi “tre luanët” u zgjuan dhe përmbysën rezultatin brenda 10 minutash. Pas këtyre golave, falë edhe disa gabimeve të mbrojtjes së Kosovës anglezët përfituan në maskimum, duke shënuar edhe tre herë të tjera duke e çuar ‘knock down’ Kosovën.

Por ky ishte vetëm rezultati i pjesës së parë, pasi “dardanët” dolën nga dhomat e zhveshjes më të motivuar se kurrë duke e harruar për disa minuta tabelën e rezultateve. Dy gola të shpejtë nga Berisha dhe Muriqi nga penalltia tronditën Anglinë, që e pa veten të vihej në presion nga një përfaqësuese modeste si ajo e Kosovës. Më vonë u thirr në apel edhe Muriç, i cili ndaloi një penallti të Kejn, duke e stopuar tabelën e rezultatit në 5-3.

Humbja e parë për Kosovën pas 15 ndeshjes, por që vjen ndaj një Anglie të frikshme që është në mesin e 5 ekipeve më të mira të momentit. Pas kësaj paraqitje mëse dinjitoze të Kosovës, nuk janë kursyer vlerësimet për “dardanët” duke i quajtur ata si surpriza më e bukur e këtyre eliminatoreve.

 

Më Shumë