Futboll

“Anglezi” i Tiranës, Fatmir Frashëri

Fotografia e të madhit Fatmir Frashëri pushtoi medien elektronike mbrëmjen e së premtes, fatkeqësisht për një lajm të hidhur: ndarjen e tij nga jeta në moshën 78-vjeçare. Reagimet e panumërta të personaliteteve të sportit dhe fushave të tjera, me në krye politikanët më të rëndësishëm në vend, tregojnë qartë madhështinë e figurës së ish-futbollistit të Tiranës dhe Kombëtares. Dikush edhe mund të mos e ketë pasur idenë kush ishte Fatmir Frashëri, por nuk mund të rrinte pa u bashkuar me atë mori mesazhesh ngushëllimi, me atë reagim të fuqishëm që ngjallin njerëzit e sportit, njerëzit e mëdhenj të sportit. Si Fatmir Frashëri.

Ish-mbrojtësi dhe ish-kapiteni i Tiranës është një nga ata njerëz, që cilëson kolosë në kuptim e vërtetë të fjalës. Një kolos jo vetëm në fushën e blertë, por edhe jashtë saj. Një njeri që i kalonte dimensionet e një futbollisti të madh. Dikush e kujton si një personalitet në futboll, dikush si profesorin e fiskulturës, dikush si trajner fitues dhe e gjithë Shqipëria si një figurë qendrore të Kombëtares së viteve 1960-1970.

Nga homazhet për Fatmir Frashërin

Fatmir Frashëri kishte diçka që e dallonte nga të tjerët. Ishte ndër të paktët ose ndër të vetmit që fliste gjuhën angleze në atë kohë. Diçka e rrallë për kohën. Ishte tifoz i futbollit anglez, që u përpoq ta imitonte edhe në fushë. Ishte pikërisht Fatmir Frashëri ai që mori guximin të linte mbrojtjen dhe të merrte pjesë edhe në lojën sulmuese të Tiranës dhe Kombëtares. Ishte ai që e transformoi rolin e mbrojtësit të djathtë në futbollin shqiptar me daljet përpara në sulm dhe kroset në zonë. Në memorien e futbolldashësve të atyre brezave është i paharrueshëm dueli mjaft interesant mes tij dhe Agim Jankut të Partizanit në derbit e kryeqytetit. Mbeten pjesë e historisë paraqitjet e Fatmir Frashërit me fanellën e Tiranës në ndeshjet e Kupave të Europës me Kilmarnokun e Skocisë, Standard Liezhin e Belgjikës dhe Ajaksin e madh të Holandës.

Mitike është fotoja para derbit Tirana-Partizani, ku në njërin krah është simboli i Partizanit, Panajot Pano, dhe në krahun tjetër simboli i Tiranës, Fatmir Frashëri. Nga ai ekip i madh i Tiranës së atyre viteve, Frashëri është vërtet njeriu simbol. Profili i këtij personaliteti është pasuruar ndër vite me titujt kampion si trajner me Tiranën dhe me Dinamon, me impaktin që ai kishte në jetën sociale të kryeqytetit. Një familjar shembullor, një model për t’u ndjekur nga të gjithë brezat, një zotëri i vërtetë. Ishte “anglezi” i Tiranës. Frashëri është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh” dhe ka mbajtur edhe rolin e presidentit të nderit të bardhebluve. Një personalitet, që do t’u mungojë të gjithëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë