Analize

Analiza, viktimat e Covid-19 në Itali janë të paktën 4 herë më shumë

Autoritetet italiane mund të mos i kenë deklaruar të gjitha vdekjet e shkaktuara nga koronavirusi, duke ulur ndjeshëm përmasat e tragjedisë, që edhe në shifrat zyrtare është e pashembullt dhe e pakrahasueshme me asnjë vend tjetër të prekur nga pandemia deri më tani.

Vetë kreu i komunës se Nembros, Claudio Cancelli në bashkëpunim me mjekun Luca Foresti hamendësojnë se vdekjet vdekjet e shkaktuara nga koronavirusi në Nembro mund të jenë të paktën 4 herë më të larta.

Dy autorët e studimit kanë analizuar shifrat e vdekjeve ditore të raportuara në Komunën e Nembros nga 2015 deri në 2019 dhe më pas i kanë krahasuar ato me vdekjet e regjistruara përgjatë ditëve të pandemisë në këtë qytezë.

“Nuk e dimë numrin e saktë të personave të infektuar, por dimë që numri zyrtar i personave të vdekur nga koronavirusi i ri është 31”, thonë ata.

Ata thonë se pas krahasimit të numrit total të vdekjeve në periudhën janar-mars të viteve pararendës me vitin aktual kanë vënë re se diçka nuk shkonte me shifrat.

“Në kushte normale, pra pa pandeminë, Nembro duhej të kishte rreth 35 vdekje në këtë periudhë. Por, këtë vit janë regjistruar zyrtarisht të vdekur në zyrat e komunës 158 të vdekur, ose 123 të vdekur më shumë se sa mesatarja”, thonë dy autorët e studimit.

Pra, shifra është shumë herë më e lartë se numri 31, sa ç’është numri i të vdekjeve të shkaktuara nga Covid-19.

Kryebashkiaku Cancelli dhe mjeku Foresti thonë se diferenca është shumë e madhe për të thënë që është thjesht një deviancë statistikore. Statistikat demografike kanë një konstante karakteristike dhe mesataret vjetore nuk ndryshojnë shumë, përveçse në rastet kur ndodhin fenomene të reja. Në këtë rast, numri i vdekjeve në Nembro është anormal në krahasim me mesataren e regjistruar në të njëjtën periudhë të vitetev të kaluara, ose 4 herë më shumë se vdekjet zyrtare që i faturohen Covid-19”.

Për të përforcuar bindjen e tyre, autorët e studimit kanë analizuar edhe pikun e vdekjeve. Ata thonë se nëse shihet me vëmendje koha kur kanë ndodhur vdekjet më të shumta dhe krahasohen me periudhat e njëjta të viteve të kaluara, anomalia është shumë më e dukshme. “Ka një pik mjaft të lartë në krahasim me vitet e tjera edhe të vdekjeve që nuk i faturohen Covid-19”, deklarojnë autorët e analizës.

Krahasimin e kanë vazhduar duke marrë të mirëqënë hipotezën se të gjithë qytetarët e Nembros janë prekur nga virusi, ku shumë kanë qenë asimptomatikë. Numri i vdekjeve 158, thonë ata, është pranë shifrës 1 për qind të vdekshmërisë së shkaktuar nga koronavirusi, që është e njëjta përqindje e matur në kroçierën “Diamond Princess” dhe po e njëjtë me shifrën e deklaruar nga Koreja e Veriut.

Të njëjtën analizë, Cancelli dhe Foresti e kanë kryer edhe me shifrat e dy komunave të tjera, Cernuscos dhe Pesaros, duke përdorur po të njëjtën metodologji. Në Cernusco dhe Pesaro numri i vdekjeve rezultoi 6.1 herë më i lartë se vdekjet e deklaruara për shkak të Covid-19, ndërsa në Bergamo raporti është 10.4 herë më i lartë.

Mund të hamendësohet se një pjesë e madhe e këtyre vdekjeve janë persona të moshuar, ose me imunitet të dobët, që vdesin në vanesa, pa u shtruar në spital dhe pa iu nënshtruar testeve për të verifikuar nëse janë të infektuar me Covid-19 apo jo.

Autorët thonë se nisur nga të dhënat piku i vdekjeve ka kaluar dhe qyteza e vogël pranë Bergamos mund të merret si një shembull i mirë se çfarë do të ndodhte nëse të gjithë italianët do të infektoheshin nga Covid-19, e thënë ndryshe; 600 mijë të vdekur.

“Shifrat e Nembros na sugjerojnë se duhet të marrim numrin e vdekjeve të deklaruara për shkak të koronavirusit dhe ta shumëzojmë me të paktën 4 për të mësuar ndikimin real të Covid-19 në Itali, të paktën në këtë moment. Sugjerimi ynë është që të analizohen të dhënat e komunave që kanë të paktën 10 të vdekur nga koronavirusi dhe të krahasohen me numrin total të vdekjeve”, këshillojnë dy autorët e analizës në fjalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë