Të Premten në mëngjes, dy ditë para ndeshjes Arsenal-Manchester City, gjatë të cilës u aktivizua 60 minuta, Mesut Ozil postoi një mesazh të gjatë në profilin e tij në Instagram dhe Twitter në lidhje me situatën dramatike të Ujgurëve në Xinjiang të Kinës.
"Turkistani Lindor, plaga e përgjakshme e ummah (bashkësia e besimtarëve myslimanë), po i reziston torturuesve që përpiqen ta privojnë atë nga feja e tyre. Ata po djegin Kuranin, po mbyllin xhamitë. Kanë mbyllur shkollat. Po vrasin udhëheqësit e tyre shpirtërorë. Burrat janë dërguar në kampe përqendrimi dhe familjet e tyre detyrohen të jetojnë me meshkuj kinezë, ku gratë detyrohen të martohen me meshkuj kinezë. Pavarësisht kësaj, myslimanët heshtin. Ata nuk po reagojnë, duke i braktisur Ujgurët. A nuk e dinë vallë që të japësh pëlqimin tënd për një përndjekje është si ta bësh atë?”
Për situatën e Ujgurëve në Xinjiang flitet tashmë prej disa vitesh, por mesazhi i Ozil ka ardhur në një momenti presioni ndërkombëtar ekstrem ndaj Pekinit për këtë çështje: pothuajse saktësisht një muaj që kur New York Times zbuloi më shumë se 400 faqe dokumente të brendshme të Partisë Komuniste Kineze, të cilat hedhin dritë mbi atë që është ndoshta një kamp gjigant përqendrimi (dhe riedukimi) të përdorur për të kontrolluar një pakicë fetare të akuzuar që mbështesin terrorizmin.
Dhe rreth dy javë pasi Kongresi në SHBA miratoi pothuajse unanimisht një mocion për të vendosur sanksione për disa anëtarë të qeverisë kineze, pikërisht për shkak të shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut të kryera ndaj Ujgurëve.
Nga ana tjetër, sporti tashmë është bërë një nga pikat më të nxehtë të arenës globale gjeopolitike, dhe për këtë arsye nuk është për t’u habitur që mesazhi i Ozil u perceptua nga Kina si një kërcënim pothuajse ekuivalent me lëvizjen e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, pas së cilës Ministri i Jashtëm i Pekinit njoftoi se do të kishte një reagim të ashpër.
Në shenjë hakmarrjeje ndaj fjalëve të Ozil, televizioni shtetëror i Pekinit (CCTV) ka vendosur të mos transmetojë ndeshjen Arsenal-Manchester City, e cila u zëvendësua nga Wolverhampton-Tottenham, dhe ka mundësi që në të ardhmen klubi londinez do ta ketë më të vështirë hyrjen në tregun kinez - një treg që, përsa i përket të drejtave televizive, i sjell kampionatit anglez rreth 235 milion dollarë në vit deri në vitin 2022.
Për këtë arsye, për asgjë nuk vlejti reagimi i Arsenal, ku nëpërmjet Weibo, një rrjet social i përdorur gjerësisht në Kinë, shkroi se "Përmbajtja e publikuar është një mendim personal i Ozil" dhe se "si një klub futbolli, Arsenali gjithmonë ka respektuar parimin e mos përfshirjes në politikë".
Një deklaratë surrealiste jo vetëm për reagimin në lidhje me situatën e Ujgurëve, por edhe për shkak se u publikua disa orë pasi Bellerin kishte ftuar ndjekësit e tij të votonin për partinë Laburiste në zgjedhjet britanike, në një tweet që përfundoi me një hashtag më shumë se të qartë #FuckBoris (referuar liderit të partisë konservatore britanike Boris Johnson). Megjithatë, në këtë rast Arsenali nuk u ndje i detyruar të sqaronte se nuk dëshironte të përfshihej në mosmarrëveshje politike.
Arsenali është vetëm shembulli i fundit i përfshirjes së sportit me politikën. Para klubit londinez, në muajt e fundit të njëjtat probleme ka hasur edhe NBA, ku duhej të menaxhonin pasojat e tweet-it pro-Hong Kongut të menaxherit të përgjithshëm të Houston Rockets Daryl Morey (që më vonë u fshi), dhe më pas ekipi i Blizzard, që përjashtoi lojtarin profesionist pasi ai bërtiti "Free Hong Kong, revolucioni i epokës sonë!" menjëherë pasi fitoi një turne në Heartstone.
Mesazhi i Ozil është ndoshta i pari që zbulon një vetëdije për rolin politik të secilit dhe ndikimin e veprimeve të secilit, që shkon përtej asaj që zakonisht pritet nga një atlet, kështu që ia vlen të përpiqesh ta analizosh.
Shumë njerëz, në rrjetet sociale, nënvizuan menjëherë kontradiktën e dukshme në këtë mesazh, denoncimin ndaj praktikave shtypëse të një regjimi totalitar pikërisht sepse vinte nga një personazh i cili në të kaluarën ka dëshmuar se është i lumtur që bashkëngjit imazhin e tij publik me imazhin e Rexhep Tajip Erdogan, një udhëheqës tjetër autoritar.
Vitin e kaluar Ozil vendosi të tërhiqej nga ekipi kombëtar gjerman pikërisht për shkak të sulmeve të pësuara nga bota politike dhe sportive gjermane pas asaj fotografie të famshme, ku shfaqej pranë presidentit turk. Në atë rast, ai e justifikoi veten duke folur për një detyrim ndaj rrënjëve turke, një vend të cilit ai mendon se i përket (pavarësisht se ka lindur dhe jeton në Gjermani për pjesën më të madhe të jetës së tij).
Dhe është pikërisht afërsia e Ozil me botën politike dhe kulturore turke që na ndihmon të deshifrojmë mesazhin e tij, për t'i dhënë asaj peshën e duhur. Në këtë drejtim, është e rëndësishme të nënvizohet fakti që mesazhi i tij për Xinjiang është shkruar vetëm në turqisht dhe se më shumë sesa një ankesë kundër Kinës, para së gjithash është një kritikë ndaj vendeve myslimane, duke filluar pikërisht nga Turqia.
Megjithatë Turqia me kalimin e kohës është bërë shtëpia e re e shumë Ujgurëve - një grup etnik turk me fe kryesisht myslimane- duke ikur nga shtypja kineze. Qeveria e Ankarasë ka vendosur që muajt e fundit të braktisë pozicionet e saj të mëparshme kritike ndaj Pekinit dhe të adoptojë një qëndrim më të kujdesshëm për të mbrojtur interesat e saj tregtare.
Gjatë një vizite shtetërore në Pekin këtë verë, Erdogan deklaroi se njerëzit e Xinjiang jetojnë të lumtur. Megjithatë, burimet diplomatike turke më pas akuzuan mediet shtetërore kineze për përkthimin e dobët të fjalëve të Erdogan, megjithatë ndryshimi i qëndrimit të Turqisë natyrisht duket i qartë edhe nga refuzimet e saj gjithnjë e më të shpeshta për kërkesat për azil politik nga Ujgurët, të arratisur nga Kina.
Në këtë mënyrë, Turqia iu bashkua shumicës dërrmuese të vendeve të tjera me shumicë myslimane të Lindjes së Mesme, të cilat për shkaqe tregtare, për çështjen Xinjiang kanë vendosur të heshtin. Midis korrikut dhe tetorit, çështja dramatike e Ujgurëve është ngritur dy herë në OKB, dhe në të dyja herët, shumë nga vendet që i përkisnin Organizatës për Bashkëpunim Islamik (përfshirë Arabinë Saudite, Egjiptin, Pakistanin, Katarin dhe Algjerin) kanë mbështetur Kinën, me Turqinë që vendosi të abstenojë.
Ozil është një mysliman i devotshëm (lexon Kuranin para çdo ndeshje dhe ka shkuar në pelegrinazh në Mekë të paktën një herë) dhe, në aspektin e kontekstit politik në të cilin përfshihet mesazhi i tij, afërsia me Erdogan merr një kuptim shumë të ndryshëm nga ai që mund të duket. Mjafton të lexojmë, se Ozil në mesazhin e tij ndoshta jo rastësisht nuk e përdor termin Xinjiang, por Turkistani Lindor, që është emri i përdorur nga vetë Ujgurët për të treguar rajonin e tyre dhe gjithashtu përdoret nga disa lëvizje për pavarësinë e rajonit, përfshirë edhe Lëvizjen Islamike për Turkistanin Lindor, sulmet e së cilës nga viti 2013 kanë shtyrë qeverinë kineze të zbatojë metodën e shtypjes. Lëvizja Islamike për Turkistanin Lindor gjithashtu është vendosur në listën e organizatave terroriste nga Turqia që nga vera e vitit 2017.
Pra, në dritën e identitetit të tij dhe të kaluarës së tij, mesazhi i Ozil është i parehatshëm në shumë këndvështrime të ndryshme, dhe pikërisht për këtë arsye nuk pritej një pozicionim i tillë. Nuk mund të themi që Ozil është një model etik për këdo, por është për t’u habitur fakti që ai e mori fjalën, në këtë rast, për të mbrojtur një pakicë si atë të Ujgurëve, edhe pse e dinte që nuk do t’i pëlqente qeverisë kineze dhe turke, edhe gjithashtu natyrisht drejtuesve të Arsenal-it dhe pjesërisht edhe drejtuesve të Premier League.
Megjithatë duhet guxim dhe duhet vlerësuar fakti që ka akoma sportistë të gatshëm të përdorin peshën e tyre mediatike për të ndikuar, dhe nga e cila në një farë mase varen jetë njerëzish.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.