Futboll

Analiza/ Interi me hapa të vegjël, Inzagin e shpëtojnë liderët

Gazeta Si – Interi vuajti ndaj Torinos, e mundi në frymën e fundit, por tregoi se ka dashirë për të sulmuar deri në fund. Zikaltrit gjithashtu mbajtën rrjetën të paprekur. Një fitore, nën udhëheqjen e shtyllës kurrizore.

Një gol në minutën e 89-të ndaj Torios ka bërë që Interi të riniset pas humbjeve në derbi dhe në Champions. Në atë ndeshje të vuajtur ishin liderët ata që shpëtuan skuadrën dhe trajnerin Inzagi.

Simone Inzagi, trajneri i Interit. Gazeta Si, 11 shtator 2022

Handanoviç, i kthyer pas stolit ndaj Bajernit, mbajti Interin në lojë, duke evituar disa raste të rrezikshme. Brozoviç shënoi golin e fitores, kurse Lautaro Martinez më shumë se të gjithë mbajti adrenalinën me vrapime dhe dyluftime, duke dhënë shembullin e duhur.

Është një fillim sezoni me ‘frena dore’ për Interin. Fitorja me Torinon në fakt nuk mjafton për të kuptuar qartë, nëse është shkëndija e duhur për një skuadër bindëse. Hapat e Interit janë të vegjël, kurse trajneri Inzagi duhet t’u falët liderëve.

Bastoni në stol. Periudhë negative për të dhe në të majtë luan Darmian, por edhe në krahun tjetër nuk është se gjërat shkojnë më mirë. Dumfris nuk po kalon një moment të mirë.

Pas pritjeve të Handanoviçit, Inzagi priti minutën e 70-të për ndërrimet, që i përmirësuan gjërat, sepse edhe Torino gradualisht i uli xhirot e një ndeshjeje të luajtur me presing lart.

Lautaro Martinez gjate ndeshjes me Torinon. Gazeta Si, 11 shtator 2022

Futja e Mkhitaryan vuri pak rregull në mesfushë, duke bërë që Brozoviç dhe Barela të gjenin më mirë linjat dhe pozicionimin. Në aksionin e golit u konfirmua dyshja italo-kroate, miq në fushë dhe jashtë saj. Interi mban kështu ritmin e Napolit dhe Milanit dhe mbi të gjitha fiton besim. Nëse ndeshja do mbyllej 0-0, do ta demoralizonte ambientin.

Për të rigjetur mekanizma dhe fluiditet duhen të tjera konfirmime, në nivel mental dhe fizik. Në një sezon të tillë rezultatet kanë peshë të madhe dhe deri në ndërprerjen e kampionatit për Botërorin nuk pranohen hapat falsë.

Duke nisur nga sfida e së martës në Champions ndaj Viktoria Plzen. Nëse Interi nuk merr tri pikët në Çeki, komplikon shumë objektivin e 1/8-ve në Champions.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë