Futboll

Analiza/ Handanoviç dhe liderët e zhdukur, Interi zbulon personalitetin e varfër

Gazeta Si - “Ku janë fshehur liderët e Interit?” Kjo është pyetja që shtron në rrjetet sociale një tifoz i Interit, i cili ishte i sigurt se do të shtonte një yll në gjoks, por që tani e sheh këtë ëndërr të venitet pas një muaji e gjysmë çmenduri.

Të shtunën në “San Siro” u dëgjuan vërshëllimat e para dhe është legjitime të pyesësh ku janë ata lojtarë, te të cilët Inzagi do të bazohej mbi të gjitha tani që barka po lundron në stuhinë e dallgëve. Ata që kanë detyrimin të mbajnë topin në momente të vështira. Në ndeshjet e fundit, ku Interi ka humbur kurajën dhe qartësinë, mungesa e lidershipit është dukur qartë. Kampionët e Italisë kanë treguar se nuk kanë më një orientim thelbësor për të shkuar te fitorja.

Barela ndaj Fiorentinës. Gazeta Si, 21 mars 2022

Samir Handanoviç, për shembull, e shpëtoi veten në rastin e Ikone, nëse nuk do ta kishte ndalur, shanset e titullit do të minimizoheshin më shumë se tani. Slloveni e interpreton rolin e kapitenit ndryshe nga shumë kolegë të tij: është i heshtur, serioz dhe pak komunikues. Ky lloj karakteri është perfekt, kur fitoret vijnë lehtë dhe në seri, si në fund të 2021-shit, por pak efikas, kur duhet një shkundje për gjithë grupin e lojtarëve.

Tek Interi do ta donin ndonjë ulërimë më shumë të tij në këtë moment delikat. Samir ndërkohë është i impenjuar në një tjetër tavolinë, atë të rinovimit të kontratës, që duket i mundur, por jo i sigurt. Ka bërë pritje shpëtimtare dhe gafa edhe këtë sezon, ku njëkohësisht ka menduar për dualizmin me Andre Onanan, portierin e së ardhmes, të marrë nga Ajaksi, por që duhet përmirësuar teknikisht. Për ta pranuar këtë dualizëm dhe për ta administruar tranzicionin pa krijuar probleme të tjera, është një provë e vërtetë lidershipi.

Lautaro Martinez gjatë ndeshjes me Fiorentinës. Gazeta Si, 21 mars 2022

Interi e ka përdorur levën e rinovimeve për të karikuar lojtarët simbol të tij. Një proces i nevojshëm, që presupozonte një investim jo vetëm ekonomik, por edhe simbolik. Pas fitimit të titullit, Bastoni zgjati kontratën deri në 2024-ën me 4 milionë euro, përfshirë edhe bonuset. Ishte vetëm fillimi dhe më pas ndodhi e njëjta gjë edhe me Lautaro Martinez në tetor. Ai firmosi deri në 2026-ën me 6 milionë euro në sezon.

Kontrata e re e Barelës u zyrtarizua në nëntor, deri në 2024-ën me 4.5 milionë. I fundit është Brozoviç, firma e të cilit duket në kasafortë. Varësia ndaj mesfushorit kroat është patologjike për Interin, që nuk njeh fitore pa të në fushë. Tre zikaltrit që kanë rinovuar prej kohësh janë bërë simbole autentike të Interit të Inzagit.

Interi bazohet shumë te kuraja e Bastonit, tek aftësitë depërtuese të Barelës mes mesfushës dhe sulmit, si dhe te goditjet e Martinez. Në rënien e Interit janë brenda të tre, kush më shumë e kush më pak. Për nga karizma dhe rendimenti ata duhet të udhëheqin skuadrën edhe në dhomat e zhveshjes. Që Interi të dalë nga errësira dhe të rigjejë dritën, varet edhe prej tyre dhe jo vetëm nga trajneri Simone Inzagi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë