Kombetarja

Analiza e Muçës: Izraeli na lexoi, mund të luanim me 2 sulmues në fund

Fatjon Rupi - Humbja e Shqipërisë në Izrael ishte e pamerituar, ky është opinioni i të gjithëve, pasi kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë, duke dominuar mbi kundërshtarin në kontrollin e topit dhe në rastet për shënim. Megjithatë, loja e skuadrës së Panuçit pati edhe defektet e saj, që ndikuan në humbjen e atij 90-minutëshi të bukur për t’u parë.

Shkëlqim Muça, specialist futbolli, ish-lojtari i shquar i Tiranës dhe Kombëtares dhe ish-trajner, tregon me detaje për Gazeta Si atë çfarë bëri mirë dhe çfarë bëri keq Shqipëria në Izrael, duke nisur nga trajneri: “Ajo humbje nuk erdhi për faj të trajnerit. Skuadra ishte e vendosur mirë në fushë dhe prodhoi lojë. Për 75 minuta Shqipëria luajti mirë. E vetmja gjë që mund të bënte trajneri është që pas minutës së 75-të, duke parë rezultatin, mund të shtonte një sulmues në fushë, pasi nuk kishte çfarë të humbte. Mund të luanim me dy sulmues në fund, Balaj nuk duhej të dilte, në krah të tij mund të shtohej në ato minuta Gavazaj ose Manaj. Memushaj dhe Uzuni shpenzuan shumë energji dhe mund të ndërroheshin”, - shprehet Muça.

Kombëtarja e Shqipërisë para ndeshjes me Izraelin

Specialisti kryeqytetas e fokuson më tej analizën e tij te paqartësia në finalizim e skuadrës sonë: “Ishte e qartë që ne dominuam në lojë, luajtëm në gjysmëfushën e kundërshtarit dhe kuptohej se fizikisht ishim më mirë se ata. Por dua të theksoj se kundërshtari na e lexoi lojën dhe thjesht na priste, duke u pozicionuar mirë në prapavijë. Ne krijuam volum loje, por ishim të paqartë si do ta godisnim portën e Izraelit. Balaj punoi shumë mirë në pjesën e parë, kurse në të dytën nuk u furnizua sa duhet nga skuadra.”

Rezultati i ndeshjes në Izrael u ndikua shumë nga ai gabim i mbrojtjes sonë në minutën e tetë, kur kundërshtari përfitoi nga përgjumja e prapavijës kuqezi dhe kaloi në avantazh. “Ai është një gabim i rëndë, një gabim amator, që nuk i falet mbrojtjes sonë, sidomos Mavrajt, që është një lojtar me shumë përvojë. Ishim krejtësisht të zhbalancuar, portieri i tyre e vuri re këtë gjë menjëherë dhe shfrytëzoi rastin. Ishte e pafalshme. Hysaj? Ai është një nga lojtarët me më shumë përvojë në Kombëtare, është shumë i mirë në lojën mbrojtëse, por në këtë ndeshje hasi vështirësi me Uzunin. Dukej qartë se ishte një dyshe e paharmonizuar. Uzuni rrinte shumë në krah, nuk futej në qendër dhe rrjedhimisht e pengonte Hysajn të avanconte në krahun e tij”, - e përfundon analizën për humbjen në Izrael Shkëlqim Muça.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë