Kombetarja

Analiza e mjeshtrit Vasil Ruci: Meritë e trajnerit dhe sulmit, Baren e dua si Pirlo

Shqipëria po bind gjithmonë e me shumë me trajnerin Reja. Ekipi është rinovuar dhe loja është argëtuese. Edhe rezultatet nuk mungojnë, por ç’është më e rëndësishme, kuqezinjtë premtojnë për një Kombëtare me nivel në të ardhmen, që mund të pretendojë pa frikë një kompeticion madhor, një fazë finale Europiani, pse jo dhe Botërori.

Ish-futbollisti i famshëm i Flamurtarit të madh të viteve ’80, Vasil Ruci, në një analizë për Gazeta Si, evidenton ndryshimet që e kanë transformuar Kombëtaren. Sipas tij, merita kryesore i takon trajnerit, që ka ditur të ndërtojë skuadër. Ruci vlerëson shumë punën e dyshes sulmuese, ndërsa i vetmi “modifikim” që kërkon është roli i Bares, për të cilin beson se do të ishte më mirë të bënte “Pirlon” e Shqipërisë, pasi i ka aftësitë për një rol të tillë.

Vasil Ruci, Kreshnik Çipi dhe Presidenti Ilir Meta gjatë ceremonisë së dekorimit të Flamurtarit të viteve '80. Gazeta Si, 15 tetor 2019

“Për mua, - shprehet Vasil Ruci për Gazeta Si, - rol kryesor në paraqitjen e mirë të Kombëtares ka trajneri. Ai është i pari, pa dyshim. Arsyeja e dytë, për mendimin tim, ka të bëjë me rolin e dy sulmueseve. Loja e të dyve, jo vetëm e njërit, ja qenë shumë e rëndësishme. Ata janë lojtarë që vrapojnë shumë, presojnë lart dhe ndihmojnë shumë sistemin mbrojtës të lojës. E treta, që të arrijmë të bëjmë një hap të madh përpara, të shkojmë në një faze finale Europiani apo Botërori, na duhet patjetër një lider. Patjetër dikush nga ky ekip duhet të bëhet lider në kuptimin futbollistik, që ta marrë ekipin në “kurriz”. Se kush do të jetë ky lojtar, nuk mund ta parashikoj. Pjesa kryesore e ekipit janë lojtarë në moshë të re, të cilët bashkërisht do ta ndërtojë një grup që të ketë fryte në vazhdim.

Guardiola paguhet aq shumë, sepse di të ndërtojë skuadër. Edhe trajneri Reja ka vlera, sepse diti të ndërtojë skuadër brenda një kohe të shkurtër. Trajnerët që kanë eksperiencë marrin përsipër risqe të tilla dhe është shumë e thjeshtë: nëse dalin me sukses, del në pah edhe vlera e trajnerit. Kur zgjedhjet janë bindje pastaj, nuk quhet më risk, por quhet taktikë. Dhe për këtë ka vlera ai njeri, sepse riskun e ktheu në taktikë. Skemën e lojës e përcaktojnë lojtarët që ke. Pa dyshim që ideja e trajnerit është kjo, ai arriti të zbulojë aftësitë që kanë lojtarët. Ndërtoi skemën, bëri menaxhimin e lojtarëve sipas vlerave. Skema i doli, por e përsëris se këtë skemë e përforcuan shumë dy sulmuesit.

Keidi Bare në aksion. Gazeta Si, 15 tetor 2019

I vetmi dyshim që kam unë, është roli i Bares, do të jetë organizator në krah, apo do të jetë si Pirlo. Po të arrijë të futet në këtë rol, do të jetë akoma më mirë. Nëse lojtarët e tjerë do t’i vlerësonim me notën maksimale për ndeshjen në Turqi, pak nën maksimale është Bare, pikërisht për shkak të rolit. Ai luajti përpara, por nëse do të ishte para mbrojtjes, bashkë me Gjasulën, do të bënte më mirë. Ai është një lojtar mjaft i mirë teknikisht dhe në momentin e thyerjes së aksioneve të kundërshtarit do ta nxirrte ekipin në sulm më shpejt. Ne kemi lojtarë krahu shumë të mirë, uingera siç quhen, si Roshi, Grezda etj., që sjellin probleme. E vetmja mangësi mbetet ajo që thashë, roli i Bares. Kemi lojtarë të shpejtë dhe mund të jemi më efikasë.

Çunat e rinj po tregojnë një ekip bllok në të gjitha situatat e ndeshjesh. Nuk ndahet ekipi në dysh, nuk hapet në fushë, por ka një rol të madh Bare. Unë besoj se nëse do të jetë para mbrojtjes, mund të bëjë me shumë. E mbani mend Pirlon me Juventusin..? Në sistemin e lojës me tre në mbrojtje, dy linjat anësore të mesfushës janë edhe mbrojtës edhe alf, plus kontrollori bëhen gjashtë. Pra, janë 6 njerëz të sigurt që mbrojnë dhe nëse kemi një organizator, një tip plejmejkëri para mbrojtjes, mund të kemi më shumë shpejtësi. Përderisa i kemi gjashtë lojtarë mbrojtës, pse ta mos e kemi një organizator para mbrojtjes, që në të gjitha thyerjet, të kalojë në sulm me shpejtësi? Në krah luajnë rol uingerat, që ne i kemi dhe i kemi shumë të mirë. Duhet të dalë topi më shpejt dhe Bare ka inteligjencën për ta bërë këtë gjë”, - ka argumentuar ish-sulmuesi i njohur, Vasil Ruci, “Mjeshtër i Madh”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë