Shendet

Ana tjetër e stresit

Çfarë mendoni për stresin? Nëse do t’ju kërkohej të zgjidhnit midis dy pohimeve, a do të thonit se stresi është: (A) i dëmshëm dhe duhet shmangur; ose (B) i dobishëm dhe duhet të përqafohet?

Përgjigja dërrmuese është “A”. Ndërsa stresi kronik, nuk është i mirë për shëndetin dhe mirëqenien tuaj, historia e stresit është më shumë sesa ajo që shohim në titujt e lajmeve.

Siç rezulton, mënyra se si mendoni për stresin ka rëndësi. Një seri studimesh mund të ndihmojnë të rimendohet pozicioni ynë rreth stresit.

Në një studim, u anketuan pothuajse 29.000 të rritur dhe atyre iu bënë dy pyetje:

1. Sa stres keni përjetuar vitin e fundit?
2. A besoni se stresi është i dëmshëm për shëndetin tuaj?

Tetë vjet më vonë, studiuesit kontrolluan nëse stresi ndikoi në shkallën e vdekshmërisë për këta pjesëmarrës. Ajo që ata zbuluan, ishte se pjesëmarrësit me nivele të larta stresi, kishin më shumë gjasa të vdisnin, por vetëm nëse ata gjithashtu besonin se stresi ishte i dëmshëm për shëndetin e tyre.

Njerëzit me nivele të larta të stresit, që nuk besonin se stresi ishte i dëmshëm, kishin rrezikun më të ulët të vdekjes nga çdo grup në studim.

Studiuesit arritën në përfundimin, se nuk ishte vetëm stresi që po ndikonte në vdekshmëri, por kombinimi i stresit së bashku me besimin se stresi është i dëmshëm për shëndetin.

Këto pyetje mund t’ju ndihmojnë të krijoni një përgjigje ndaj stresit:

1. Ku kam kontroll/ndikim në një situatë?
2. Cili është një hap specifik veprimi që mund të ndërmarr?
3. Cilat janë pikat e mia të forta?
4. Çfarë burimesh kam?
5. Çfarë më bën të mendoj se mund ta përballoj këtë?

Të qenit i stresuar dëmton mentalitetin, si dhe mund t’ju mbajë të mbërthyer duke menduar se duhet të jeni i vetmi, që ndiheni në një mënyrë të caktuar, dhe kjo mund ta përkeqësojë stresin tuaj.

Këto pyetje mund t’ju ndihmojnë të lidheni me të tjerët kur ndiheni të stresuar:

1. Çfarë mbështetje më duhet?
2. Kë mund të mbështes?
3. Kush tjetër po lufton?
4. Kush mund të më mbështesë mua?
5. Çfarë marrëdhëniesh mund të forcoj si rezultat i kalimit të kësaj sfide?

Është gjithashtu e dobishme të flisni për këto lloje të ndryshme të përgjigjeve ndaj stresit, veçanërisht me fëmijët tuaj, si dhe t’i ndihmoni ata ta drejtojnë stresin në mënyrë produktive, duke i dëgjuar dhe këshilluar ata në situata të ndryshme.

Ajo që tregojnë këto dhe studime të tjera, është se stresi mund t’ju ndihmojë në shumë mënyra. Stresi ju jep energjinë që ju nevojitet, për t’u përballur me një sfidë, stresi ju jep kurajë për t’u lidhur me të tjerët dhe stresi ju ndihmon të mësoni dhe të rriteni.

Stresi është gjithashtu pjesë e një jete kuptimplotë. Herën tjetër që do të ndiheni të stresuar për diçka, përpiquni të jeni kurioz se si stresi po shfaqet për t’ju ndihmuar. 

Burimi: Forbes/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë