Interviste

Amnistia fiskale, PD: Qëllimi i Ramës, ndoshta dhe pastrimi i parave

Bledar Hoti-Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në një intervistë për Gazeta “Si” ngre dyshime mbi nismën e shpallur nga ana e kryeministrit Edi Rama për realizimin e një amnistie fiskale në Shqipëri, që prek jo vetëm familjet e emigrantëve, por edhe bizneset. Tabaku rendit një sërë dyshimesh, duke përmendur edhe rrezikun e pastrimit të parave të ngjashme me ato të publikuara  nga Panama Papers. “Në të kemi të bëjmë me një bankë investimesh që qarkullon paratë e pista. Imagjinoni që kjo skemë të aplikohet në Shqipëri me një shumëfish më të madh në vlerë dhe me legjislacion të dedikuar. Pak kohë më parë kryeprokurori i Antimafias italiane për Leçen u shpreh se mbi 90% e drogës amerikano-latine qëndron në Europë, në Shqipëri janë kapur dy dërgesa të mëdha me kokainë nga Amerika Latine”, shprehet Tabaku në intervistën për Gazeta “Si”. Por, sipas saj, Partia Demokratike konsensusin e vetëm që mund të japë për qeverinë Rama është vetëm reforma zgjedhore.

Znj. Tabaku, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të paraqesë së shpejti në Parlament një amnisti fiskale dhe penale për emigrantët, por përfitues do të jenë biznesi i vogël dhe ai i  madh. Cili është mendimi juaj, por edhe PD-së për këtë nismë dhe a është momenti i duhur për t’u realizuar kjo amnisti?

Çdo nismë e kryeministrit Rama është për t’u parë me shumë dyshim, kjo për shkak të së shkuarës së tij dhe përpjekjeve për të kapur shtetin dhe për të inkriminuar ekonominë. Me gjithë paragjykimin më se normal për politikat e Ramës kam dëgjuar këto ditë intervista dhe deklarata të mazhorancës që flasin për një projektligj që ka dhe prekje të Kodit Penal. Natyrshëm lind pyetja se si mund të ndërmerren hapa të tillë që janë jashtë sferës së amnistisë fiskale kur ndryshime do jenë të tilla që mund të prodhojnë një sistem më toksik në ekonomi? Gjithashtu nuk dihet ende mendimi i partnerëve tanë strategjikë, SHBA dhe BE. Prandaj mu duk shumë e drejtë dhe ndërhyrja e Konfindustrias.

Ish-deputetja Jorida Tabaku, Gazeta Si, mars 2020

Të shmangësh në këtë vendimmarrje partnerët tanë strategjikë dhe nga ana tjetër të hiqesh si mbrojtës i Reformës në Drejtësi dhe shtetit ligjor janë dy të kundërta që nuk mund të puqen. Natyrisht, jam e bindur që Rama do të përpiqet të gjejë “gjuhën” apo “pikat” e përbashkëta me partnerët tanë. Siç jam e bindur që ai do t’i mashtrojë ata, pasi nuk do të përmbushë kërkesat e tyre, sepse qëllimi i amnistisë është diku gjetkë. 

Edhe pse nuk ka ndonjë draft konkret, përflitet se tatimi do të jetë 3 deri 5 për qind. A është kjo një taksë e favorshme për familjet e emigrantëve, apo për biznesin për legalizimin e parasë informale? Sa efekt konkret do ketë një nismë e tillë në ekonominë shqiptare, e cila duket se po vjen si pasojë e mungesës së kreditimit?

Tani për tani pak rëndësi ka teknikaliteti i ligjit. Fryma e këtij premtimi nuk i drejtohet emigrantëve, por një grupi tjetër “investitorësh”. Po të kini parasysh kryeministri Rama një vit më parë i kërkoi “investitorëve” që të investonin në Shqipëri në këmbim të një pasaporte shqiptare. Kjo ofertë erdhi në një takim mes biznesmenëve që zakonisht kërkojnë të pastrojnë apo fshehin paratë dhe qeverive që duan t’i ofrojnë mbulim këtyre personazheve.

A shihet kjo nismë e qeverisë si e “kamufluar”, pasi me të synohet jo vetëm për të lehtësuar familjet e emigrantëve, por edhe ato biznese për të cilat opozita i ka cilësuar që kanë përfituar nga qeveria dhe që janë cilësuar si oligarkë?

Amnistia është një hap më tej nga ajo që përmenda më sipër. Një përpjekje gjithashtu që përfshin edhe tërheqjen e parave të pista në vendin tonë edhe më shumë se sa çfarë është aktualisht. Le t’ju sjell në mendje skemën TROJKA të zbuluar nga Panama Papers, në të kemi të bëjmë me një bankë investimesh që qarkullon paratë e pista. Imagjinoni që kjo skemë të aplikohet në Shqipëri me një shumëfish më të madh në vlerë dhe me legjislacion të dedikuar. Pak kohë më parë kryeprokurori i Antimafias italiane për Leçen u shpreh se mbi 90% e drogës amerikano-latine qëndron në Europë, në Shqipëri janë kapur dy dërgesa të mëdha me kokainë nga Amerika Latine. Shqipëria sipas të gjitha raporteve ndërkombëtare është vendi kyç dhe shpërndarës i drogës në Europë dhe krimi i organizuar shqiptar është ndër të parët në rajon.

Prej vitesh është hedhur ideja e një amnistie fiskale. Në vitin 2011, qeveria Berisha propozoi një gjë të tillë, por opozita e asaj kohe ishte kundër. A mendoni se është koha për ta kaluar tani, apo duhet që ta miratojë një Parlament i ri që do të dalë me zgjedhje te reja, pasi mund të kërkohet një konsensus i gjerë mes PS-së dhe PD-së, si dy partitë që kanë qeverisur ndër vite?

Kushtet e Shqipërisë në vitin 2011 nuk ishin këto të sotmet, por prapë opozita kundërshtoi. Amnistia fiskale është një përpjekje shumë e mirë, por duhet menduar pasi si temë është tejet komplekse për sisteme qeverisëse shumë herë më transparente se sa Shqipëria e 2020. Fatkeqësisht me një kryeministër që nuk është transparent dhe përdor Parlamentin si noter, me një qeveri që nuk mendon, por vetëm zbaton dëshirat e Ramës. Me ekspertë që nuk dëgjohen dhe me gjoja reforma që kanë shkatërruar tërësisht logjikën e shtetit eficent. Të diskutosh për amnistinë fiskale është më shumë se sa ëndërr në diell.

Konsensusi i vetëm që mund të arrihet sot lidhet me atë të Reformës Zgjedhore si dhe kërkesat e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Më duket anormale të flitet për amnisti fiskale nga një mazhorancë që nuk organizon dot zgjedhje normale për një vend demokratik.

Së fundmi, një koment në lidhje me deklaratën e kryeministrit Edi Rama se viti 2021 do të ketë një pagë minimale prej 30 mijë lekësh. Duket si një premtim ë që është kopjuar nga programi i PD-së, ku vetë krydemokrati Basha ka premtuar ta rrisë me 300 euro dhe në fund të mandatit katërvjeçar qeverisës në 400 euro. Sa reale është kjo për t’u realizuar, ndërkohë që shumë biznese, si fasoneritë janë shprehur kundër se ndikon sektorin e prodhimit në Shqipëri?

Ky është një premtim i kopjuar nga Partia Demokratike dhe mos u habisni kur të dëgjoni kryeministrin Rama të kopjojë premtime të tjera nga ne. Ai nuk ka pasur një plan për të qeverisur vendin dhe as për të mundësuar një ekonomi të shëndetshme dhe në shërbim të qytetarëve. Në vitin 2013, dhjetor, i premtoi shqiptarëve pagën e 13. Jemi në vitin 2020, kryeministri Rama është në qeveri, ministri Ahmetaj (që u zotua në Kuvend) është në qeveri si ministër pa portofol, por me një shumë të madhe parash në menaxhim. Shqiptarët janë më të varfër, më të pabarabartë dhe me një ekonomi të rrënuar. Taksat e rritura, tarifat e larta, abuzimi me taksat dhe PPP-të kanë ndikuar në rritjen e çmimeve, mbylljen e vendeve të punës, shkatërrimin e tregut të lirë.

E vetmja rrugë për të rritur pagat është ulja e taksave dhe tarifave. PD ka një program të detajuar për të çliruar ekonominë nga çfarë e ka prangosur sot. Ulja e taksave dhe sigurimeve shoqërore do të sjellë rritje të pagave dhe mundësi më të mëdha konkurrueshmërie. Ne besojmë tek tregu i lirë, jo në ekonominë e oligarkëve. Besojmë në taksat e ulëta sepse duam më shumë para në xhepat e qytetarëve dhe jo xhaketat e ministrave. Kërkojmë më shumë shanse dhe mundësi për individin dhe jo më shumë agjenci për qeverinë. Prandaj, sado që Rama të kopjojë nuk mundet dot të ofrojë atë që synon opozita; ndërtimin e një Shqipërie konkurruese dhe me mirëqenie.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë