Katar 2022

Amnesty International kundër FIFA-s: Po injoron kërkesat për drejtësi të punëtorëve

Gazeta Si - “Infantino ka bërë të ditur se FIFA ka përfituar 7.5 miliardë dollarë nga Kupa e Botës, më shumë se 1 miliard nga sa ishte parashikuar. Po ashtu ka thënë se të ardhurat e FIFA-s do të shkojnë në 11 miliardë për 4 vjet.

Megjithatë, ai nuk u ka ofruar asgjë punëtorëve të shumtë dhe familjeve të tyre, që vazhdojnë të shohin se si u mohohet rimbursimi për pagat e vjedhura dhe jetët e humbura”. Ky është qëndrimi i Stephen Cockburn të ‘Amnesty International’.

Kreu i FIFA-s, Xhani Infantino. Gazeta Si, 17 dhjetor 2022

“Punëtorët emigrantë që punuan për stadiumet e Botërorit të Katarit kanë kontribuuar shumë për pasurimin e pabesueshëm të FIFA-s, që tashmë ka përgjegjësinë e qartë t’i rimbursojë ata dhe jo të vazhdojë të injorojë kërkesat e tyre për drejtësi”, - ka vazhduar Cockburn.

Çështja e kushteve të vështira të punës për punëtorët dhe mbi të gjitha humbja e shumë jetëve ka qenë një temë e nxehtë që para nisjes së Botërorit. Personazhe të njohur publikë dhe shoqata të ndryshme ndërkombëtare kanë bërë apel për bojkot të Katar 2022 pikërisht për këtë çështje.

Nga disa investigime të mediave të njohura ka dalë se janë rreth 6 mijë punëtorë që kanë humbur jetën. Në anën tjetër, FIFA reklamon me të madhe përfitimet në rritje të saj, duke anashkaluar të drejtat e punëtorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë