Shendet

Amerika miraton vaksinën e parë në botë kundër RSV

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave ka miratuar një vaksinë kundër virusit respirator sincicial (RSV), një sëmundje që vret mijëra njerëz çdo vit.

Vaksina ka ende nevojë për miratim nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve përpara se të mund të shpërndahet në publik.

Zyrtarët thonë se vaksina, e quajtur Arexvy e prodhuar nga kompania GSK, është një zbulim i madh që do të shpëtojë shumë jetë dhe mund të shpërndahet për personat mbi 60 vjeç brenda këtyre muajve.

“Aprovimi i vaksinës së parë RSV është një arritje e madhe e shëndetit publik për të parandaluar një sëmundje që mund të jetë kërcënuese për jetën”, thotë Peter Marks, i cili drejton Qendrën për Vlerësimin dhe Kërkimin Biologjik në Administratën e Ushqimit dhe Barnave (FDA).

RSV është një sëmundje respiratore që zakonisht rezulton në simptoma të ngjashme me të ftohtit për të rriturit, por mund të jetë e rrezikshme për fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe ata me probleme shëndetësore.

Mesatarisht, RSV vret 100-300 fëmijë nën moshën 5 vjeç në SHBA çdo vit, sipas CDC.

Gjithashtu vret rreth 6.000 deri në 10.000 të rritur mbi 65 vjeç çdo vit. Në raste të rënda mund të shkaktojë bronkiolit, i cili shkakton probleme në mushkëri dhe në frymëmarrje.

Ka më shumë se 60 vite që shkencëtarët po mundohen të gjejnë një vaksinë dhe ky është ilaçi i parë që miratohet në botë.

Një studim nga GSK, kompani në Mbretërinë e Bashkuar, i cili u publikua në shkurt zbuloi një efikasitet vaksine prej 82.6%.

Efektet anësore ishin kryesisht "të lehta ose të moderuara" dhe përfunduan brenda dy ditësh. Më të zakonshmet janë dhimbjet rreth vendit të injektimit ose lodhja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë