Drejtësia

Ambientet e reja në GJKKO, ministri Gogu: Siguri dhe dinjitet në sallat e gjyqit

Gazeta Si – Duke iu rikthyer debatit për qëndrimin ose jo në kafazin e xhamit të të pandehurve në sallat e gjyqit, duke mos pasur mundësi kontakti direkt me avokatin e tyre, Toni Gogu deklaroi se të akuzuarit duhet të trajtohen me dinjitet dhe siguri.

Gjatë përurimit e ambienteve të rikonstruktuara në Gjykatën e Posaçme, ku u investua në 4 salla gjykimi, 2 holle të gjykatës dhe 16 zyra gjyqtarësh, ministri i Drejtësisë, e vendosi investimin në kontekstin e reformës në drejtësi dhe të fazës përmbyllëse të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian për Kapitullin 23.

“Europa nuk mat vetëm ekzistencën formale të institucioneve. Mat mënyrën si funksionojnë çdo ditë: efikasitetin e proceseve, standardin e administrimit gjyqësor, sigurinë juridike dhe besimin që qytetarët kanë tek drejtësia”, u shpreh Gogu.

Si ish-Kancelar i Gjykatës së Tiranës dhe ish-lektor i Administrimit të Gjykatave, Gogu theksoi se infrastruktura gjyqësore nuk është çështje periferike, por pjesë e vetë cilësisë së drejtësisë.

“Salla e gjyqit nuk është vetëm vendi ku lexohet një vendim. Është ambienti ku shteti duhet të garantojë paanshmëri, siguri, dinjitet procedural dhe autoritetin e ligjit”, deklaroi ai.

Ministri kujtoi se në vitin 2003, në Gjykatën e Tiranës, u ndërtuan 4 sallat e para moderne të gjykimit dhe nisi automatizimi i menaxhimit të çështjeve gjyqësore, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm në modernizimin e administrimit gjyqësor në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Gogu u ndal edhe te debati publik mbi masat e sigurisë në sallat e gjykimit, duke theksuar nevojën për balancë midis sigurisë dhe respektimit të standardeve europiane të të drejtave të njeriut.

“Gjykatat që trajtojnë krimin e organizuar kanë nevoja reale sigurie. Por çdo masë sigurie duhet të jetë proporcionale, funksionale dhe në përputhje me standardet europiane”, u shpreh ai.

Ndërsa kryegjyqtari i posaçëm, Erjon Bani tha në fjalën e tij se ambientet dinjitoze nuk kanë të bëjnë vetëm me paraqitjen, por edhe me cilësinë e gjykimit dhe trajtimit të qytetarëve që i drejtohen GJKKO-së në kërkim të drejtësisë.

“Në kuadër të Ditës së Drejtësisë inaugurojmë ambientet e rikonstruktuara dhe të rimodeluara të gjykatës. Godina ku ushtron veprimtarinë Gjykata e Posaçme është ndërtuar në vitin 2008 me mbështetjen e BE-së, për këtë mbështetje shprehim mirënjohjen edhe sot. Pas më shumë se 15 vitesh funksionimi intensiv, u bë e qartë nevoja për një ndërhyrje infrastrukturore. Sot nuk inaugurojmë vetëm salla gjykimi dhe holle. Një gjykatë nuk është thjesht një godinë, është vendi ku publiku kërkon të drejtën. Mënyra se si qytetari hyn në gjykatë, si trajtohet dhe si pritet është po pjesë e cilësisë së drejtësisë”,- tha Bani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë