Kosova

Ambasadori amerikan Hovenier dënon dhunën në parlamentin e Kosovës: E papranueshme!

Gazeta Si - Jeffrey Hovenier, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, ka reaguar për përplasjet fizike në parlament mes deputetëve të Partisë Demokratike me anëtarët e qeverisë.

Ai ka theksuar se në çdo demokraci dallimet duhet të zgjidhen përmes fjalës dhe jo dhunës. “Është për të ardhur keq ajo çfarë ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës. Do të dëshiroja të mos e thosha këtë: dhuna kurrë nuk është mjet i pranueshëm për të shprehur pakënaqësi. Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta. Por, dallimet duhen të zgjidhen përmes diskursit, – një qëllim themelor i legjislaturës së çdo demokracie”, - ka shkrruar Hovenier në Tuiter.

Dhuna shpërtheu teksa kryeministri Albin Kurti ishte folur para deputetëve. Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, hodhi ujë drejt Kurtit dhe Besnik Bislimit, më pas pati përleshje fizike mes deputetëve të PDK-së dhe anëtarëve të qeverisë.

Lushtaku tha se aksioni i tij ishte politik dhe paralajmëroi padi ndaj Bislimit, ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati. Fjala e Kurtit u ndërpre kur ai po fliste për situatën në veri të Kosovës. Në atë moment deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”.

Ditët e fundit opozita ka qenë kritike ndaj pushtetit, pasi në media kanë dalë përgjime të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Ajo ka pranuar që ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Milan Radoiçiq kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”. Ai kërkohet nga Kosova me dyshimin se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor të njohur si “Brezovica”.

Radoiçiq përmendet në një aktakuzë edhe si “udhëheqës i grupit kriminal”, i cili planifikoi vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Megjithatë, urdhërarresti për Milan Radoiçiqin u tërhoq në mars të vitit 2021 pa asnjë shpjegim./ REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë