Kur vjen fjala për drejtësinë, ajo që flet pa dorashka është Ambasada e SHBA-së në Tiranë.
Është gjithashtu selia që informohet për gjithçka sa kohë që edhe sot përmes një deklarate zyrtare të shpërndarë në Facebook, Ambasada e SHBA-së ka folur për një fenomen jo publik, por shqetësues, sa kohë që ka nxitur reagimin e saj; kërcënimet dhe kanosjet që SPAK dhe Policia e Shtetit po hasin gjatë hetimeve për raste të caktuara.
Përmes një qëndrimi të mirëmenduar, Ambasada e SHBA ka nënvizuar se, oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit, duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre, pavarësisht kush është i pandehur.
“Ambasada e SHBA-së mbështet me forcë punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut. Profesionistët e sistemit të drejtësisë – oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit – duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur.
Ka ardhur koha që të lejohen të kryejnë detyrat e tyre dhe të mbështeten përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar. Kjo është e vetmja mënyrë që shqiptarët të kenë sistemin profesional dhe të paanshëm të drejtësisë që meritojnë, dhe të ecin përpara drejt integrimit në BE”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA.
Por kush e kërcënoi SPAK? Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, ishte më e drejtpërdrejtë kur shpërndau vetëm pak minuta më pas në Twitter qëndrimin e ambasadës amerikane, shoqëruar me një mesazh nga ana e saj.
“Rastet e rëndësishme shpesh shoqërohen me fushata të shtrenjta për të hedhur dyshime dhe bërë konfuzion, për të blerë ndikim, mohuar të vërtetën, si dhe për t’i shpëtuar drejtësisë”, shkruan ajo, duke shkuar më pas tek thelbi.
“Le të jemi të qartë: kjo ka të bëjë me dënimin e kriminelëve të njohur – asgjë më shumë, asgjë më pak. Ne mbështesim fuqimisht SPAK”, shkruan Yuri Kim.
Prej kohësh, SPAK po merret me dosje te nxehta nga ato që lidhen me zgjedhjet e kaluara e deri tek dyshimet e forta për krim të organizuar në vend.
Vetë SPAK nuk ka asnjë reagim rreth çështjes në fjalë.
Sepse mesazhi i SHBA-së është i qartë, jo më shumë për punën e SPAK (që e ka mbështetur në vijimësi) sesa për vetë ata që e kanë kërcënuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.