Ngjarje

Alvini nga Libia drejt Romës! Lleshaj zbulon detajet e operacionit

Alvin Berisha, 11-vjeçari që preku zemrat e të gjithë shqiptarëve, do të niset tanimë nga Libia drejt Romës. Pasi është nxjerrë nga kampi Al Hol në Siri falë një operacioni të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, ai do të bashkohet pas pesë vitesh më babain e tij, Afrim Berishën.

Mediat libaneze shkruajne se Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Liban Mark Ghraib dhe Ministri i Brendshëm shqiptar Sandër Lleshaj kanë takuar Alvinin kufirin siriano-liban, dhe jane nisur me pas në konsullatën italiane në Beirut.

Ministri Lleshaj ka zbuluar në një lidhje live për Top Channel, se Alvini ishte në gjendje mjaft të rënduar edhe psikologjike dhe fizike.

"Ka qenë një operacion shumë i komplikuar. Ka qënë fillimisht iniciativa e kryeministrave Konte dhe Rama, të cilët dhanë dritën jeshile për nisjen e operacionit. Më pas një grup i policisë së shtetit është lidhur me policinë italiane. Po bëjmë një javë që jemi këtu, duhet të mos bëhej asnjë gabim. Falë konsulit të nderit kemi pasur gjithë inteligjencën libaneze në shërbimin tonë. Është e vështirë të marrin fëmijët e tjerë, sepse është një kamp burg. Për nxjerrjen e fëmijëve të tjerë do të duhen më shumë pune. Kemi një numër të madh aktorësh përballë, disa nuk duan të bashkëpunojnë", tha ministri.

Inteligjenca italiane sëbashku me Gharib dhe organet kompetente nga Shqiperia kanë nxjerrë Alvinin nga kampi falë ndihmës nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

"Ai është transferuar më pas në Damask, i shoqëruar nga karabinierët italianë dhe forcat humanitare të Gjysëmhënës së Kuqe. Nga Damasku Alvin u prit në Ambasadën Italiane në Liban për t'ia dorëzuar babait të tij, Afrimit në Romë", shkruan sot gazeta libaneze "Alloubania".
Për të konstatuar identifikimin e Alvinit në kampin e Sirisë, fillimisht është punuar me tiparet apo shenjat që kishte 11-vjeçari në trup. Gjithashtu edhe një krahasim me tiparet e të atit të tij, Afrimit. Në të njëjtën kohë, më 10 shtator, u lëshua në Interpol një urdhër me autorizimin e prokurorisë publike të Milanos, domethënë një shënim për gjurmimin e fëmijës. SCIP, Shërbimi Policor Ndërkombëtar i Ministrisë së Brendshme Italiane, ishte angazhuar në një mision delikat, gjatë të cilit u përfshinë edhe ministritë e jashtme italiane dhe shqiptare.


Alvin dhe babai i tij, Afrim Berisha, kanë nënshtetësi shqiptare dhe një leje qëndrimi të rregullt italian. Autoritetet e Tiranës lëshuan dokumentet e nevojshme për transportin në Itali të fëmijës së vogël, e cila ndodhi përmes Libanit.

Në të njëjtën kohë, SCIP kërkoi ndërhyrjen e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, i vetmi që operonte në kampin Al Hol, i cili menjëherë u aktivizua me Gjysmëhënën e Kuqe dhe ishte në gjendje të identifikonte fëmijën dhe ta transportonte atë, falë garancive të ofruara për operacione humanitare, nga kampi i refugjatëve në Damask dhe më pas në kufirin e Sirisë me Libanin.

Në kufi ai u mor në krye nga një drejtues i Policisë italiane SCIP i cili, së bashku me CRI, karabinierët dhe një delegacion të qeverisë shqiptare, e çuan në ambasadën italiane në Beirut, ku po pret të niset drejt Italisë.

Makthi i Alvinit zgjati pesë vjet: në 2014-tën, kur ishte vetëm 6 vjeç, e ëma, Valbona Berisha e mori me vete në Siri, për ta rritur në “kopshtin “ e ISIS-it.
Valbona, një shtëpiake e thjeshtë, që ishte sistemuar më familjen në Barzago të Italisë, u tërhoq shumë nga videot e propagandës së Shtetit islamik në internet dhe ra në dashuri me rekrutuesin e saj. Deri në atë pikë sa vendosi të braktiste familjen, burrin dhe dy vajzat 11 e 10 vjeç e të transferohej në Siri duke marrë me vete djalin që ai të ndiqte fatin e tij e të rritej si luftëtar i grupit xhihadist.

Indoktrinimi nisi ngadalë, e Valbona filloi të mbante shami koke, si diçka që ne vetvete nuk kishte ndonjë gjë të keqe po të mos ishte vetëm shenja e parë e një transformimi të rrezikshëm.

Alvini i lirë në Damask. Gazeta Si, 2019


Valbona kishte krijuar kontakte ne internet me një terrorist të quajtur Selimovic Mendus, i cili vdiq më pas në luftime shkurtin e vitit 2015. Përmes një agjensie udhëtimesh në Kosovë, ai i bleu biletat e udhëtimit për veten dhe djalin e më pas ajo nis nga aeroportit i Orio al Serios drejt Stambollit. Hetuesit kanë gjurmuar edhe itinerarin e ndjekur prej saj për të mbërritur në Siri: pasi vuri këmbën në Turqi, u nis u drejt zonës së luftës.
Afrimi denoncoi zhdukjen e saj dhe të djalit tek karabinierët pasi kishte arritur dhe të komunikonte në telefon me të duke i kërkuar që të kthente Alvinin. Por Valbona ishte përgjigjur: “Një ditë do të vdesim gjithsesi” .

Pas vdekjes se saj, Alvini mbeti i vetëm dhe pas përpjekjeve të shumta të babait të tij, emisioni investigativ “le Iene” arriti të gjejë të birin në kampin Al-Hol pas 5 vitesh. Afrimi tregonte mes lotësh për “Le Iene” se sa i mungonte djali i tij, të cilin e quan kampion dhe kurrë nuk e ka kuptuar se çfarë kishte ndodhur me bashkëshorten, për të marrë këtë vendim. Teksa mban fotografinë e të birit në duar, Afrimi tregonte se gjithë kohës ka punuar për të mbajtur familjen e tij dhe bashkëshortes nuk i ka munguar asgjë.

Por vështirësitë e Afrimit, nuk do të mbaronin me kaq. Autoritetet e kampit i thanë babait se nuk do të mund ta merrte djalin e tij, pasi duheshin kryer një sërë procedurash për sa i përket nxjerrjes nga kampi. Duke qenë se Alvin ishte me shtetësi shqiptare në certifikatë, duhej që nga kampi ta nxirrnin autoritetet shqiptare. Ata u ndanë me lot, pasi Alvini nuk mund të nxirrej nga kampi pa praninë e një diplomati shqiptar.

“Gjithsej në Kampin Al Hol janë 70 fëmijë dhe gra nga Shqipëria, të cilët presin mes dëshpërimit të kthehen në vendin e tyre.

Por cila është procedura e riatdhesimit të shqiptarëve që po mbahen në Siri dhe sa të të vështirë e ka shteti shqiptar t’i kthejë në shtëpi gratë dhe fëmijët e mitur?
Shteti shqiptar fillimisht duhet të vendosë kontakte me zyrtarët kurdë, të cilët aktualisht kanë nën kontroll kampin, të shkëmbejnë gjeneralitetet e personave shqiptare në atë kamp dhe kështu të fillojë procesi i transferimit të tyre deri ne Irak ose Libi. Nga atje, do të mund të organizohej një fluturim për në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë