Politike

Basha: I lumtur për Alvinin, por drama e fëmijëve shqiptarë në Siri vazhdon

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përshëndeti rikthimin e Alvinit në shtëpi pranë babait të tij, por thotë se drama e shumë fëmijëve të tjerë shqiptarë në Siri nuk ka përfunduar ende.

“Dua të shpreh kënaqësinë time personale edhe si prind për lajmin e mirë që morëm për Alvinin. Është një dramë që na ka mbajtur mbërthyer. Është drama e një djaloshi, të shkëputur nga gjiri i familjes. Dua të falenderoj nga zemra të gjithë ata që bënë të mundur, që ai të jetë i sigurtë, veçanërisht autoritetet italiane, Kryqin e Kuq italian. Kjo tragjedi nuk ka mbaruar. Kemi dhjetëra fëmijë të tjerë në këto kampe. Misioni vazhdon. U bëj thirrje të gjithëve, veçanërisht partnerëve që na kanë ndihmuar deri tani, veçanërisht partnerëve italianë dhe partnerëve të tjerë, të bëjnë gjithçka për këta fëmijë, duke i nxjerrë nga ato kampe të tmerrshme. Por le ta mbyllim me diçka të mirë dhe t’i themi Alvinit, rrugë të mbarë e mirëse të kthesh në gjirin e familjes”, deklaroi Basha.

Këtë koment, kreu i PD-së e bëri gjatë takimit me të rinjtë e Vlorës në kuadër të turit “Rrugëtimi për Shqipërinë”. Edhe në këtë takim, ashtu si në tre takimet e mëparshme në Elbasan, Korçë dhe Shkodër Basha akuzoi rivalin e tij politik, Edi Rama se me keqqeverisjen e tij po dëbon të rinjtë nga vendi.

Basha ftoi të rinjtë që t’i bashkohen misionit dhe vizionit që Partia Demokratike po shpalos në “Rrugëtimin për Shqipërinë.

“Emigracioni nuk është zgjidhja. Asnjë vend i huaj nuk na bëhet si shtëpia jonë. Rinia duhet të marrë fatin e vendit në dorë. Ka ardhur koha të mos bëjmë kompromis në kurriz të rinisë”, tha ai.

Basha foli për një klimë tejet helmuese të të bërit biznes. Për përmirësimin e kësaj klime, kreu i PD-së propozoi investim në arsimin e lartë dhe teknologjinë e informacionit. Basha premton dyfishim të buxhetit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Ai shprehet i bindur se kjo politikë do të tërheqë investitorët e huaj.

"Duke fuqizuar universitetin dhe duke ofruar mundësi për investimet e huaja, të rinjtë që mbarojnë universitetin të mos hidhen në rrugë por në një treg pune me rroga dinjitoze", tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë