“Një sukses të madh jo vetëm për diplomacinë, por mbi të gjitha për bashkëpunimin ndërkombëtar. E keqja për Alvinin tashmë ka kaluar dhe pas pak do të jetë i lirë. I lirë për të jetuar fëmijërinë e tij dhe për tu kthyer për të luajtur, imagjinuar dhe ndërtuar të ardhmen e tij” . Kështu ka deklaruar për mediat italiane kryeministri Giusseppe Conte pas operacionit të përfunduar me sukses në shpërtimin e Alvin Berishës, i realizuar nga Italia në bashkëpunim me autoritetet shqiptare. Për Conten kthimi i Alvinit në shtëpi është nga ato lajme që të mbushin zemrën, ndërsa ka falenderuar për bashkëpunimin autoritetet italiane dhe ato shqiptare.
“Kthimi i Alvinit në shtëpi është një nga ato lajme që të mbush zemrën. Fëmija shqiptar, për vite me rradhë ishte në një kamp refugjatësh në Siri. Në orët e ardhshme më në fund mund të rimarret nga babai i tij, i cili po e pret atë në Itali. Shpreh falënderimet e mia të përzemërta për të gjithë autoritetet italiane dhe shqiptare, për organizatat humanitare, për ata që kanë bashkëpunuar për këtë operacion kompleks, në një teatër aq të vështirë sa ai sirian”, thotë Conte.

Kryeministri italian falenderon edhe mediat që hodhën dritë mbi historinë e Alvinit, teksa thekson se pas publikimit të ngjarjes ka informuar në mënyrë konstante edhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Kryqi Kuq Italian dhe Gjysmë Hëna e Kuqe Siriane, së bashku me disa autoritete policiore italiane e ushtarake ndërmorën prej ditësh një aksion të tillë. “Ne jemi të vetëdijshëm për kompleksitetin e situatës. Ekzistojnë shqetësime legjitime të ngritura nga qeveritë. Sidoqoftë, këto frikë duhet të balancohen me nevojën për t’i trajtuar njerëzit me njerëz. Lajmet e sotme tregojnë se, me vullnet politik, është e mundur një zgjidhje ”, tha Giusseppe Roça, drejtuesi i IFRC dhe Kryqit të Kuq italian. Ndërsa Khaled Hboubati, presidenti i Gjysmëhënës së Kuqe Siriane, tha: “Ne e njohim rëndësinë e detyrës sonë për të rivendosur lidhjet familjare. Ne nuk kursejmë asnjë përpjekje për të përmbushur këtë përgjegjësi sot dhe në të ardhmen, paralelisht me përgjegjësitë e tjera humanitare që ne marrim. Qëllimi ynë është të lehtësojmë vuajtjet e njerëzve më të rrezikuar në Siri duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët tanë “.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.