Pas nxjerrjes së Alvin Berishës nga kampi Al Hol, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, duke dhënë edhe detaje për operacionin e shpëtimit të 11-vjeçarit nga kampi Al Hol i luftëtarëve të ISIS.
Kryeministri Rama ka publikuar dhe një foto të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj me Alvinin e vogël.
Kreu i qeverisë shkruan se ministri Lleshaj dhe një skuadër speciale e policisë shqiptare ka qëndruar një javë në kufirin sirian dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët italianë kanë larguar Alvinin nga Kampi dhe po dërgohet në ambasadën italiane në Bejrut.
“Pas një jave në kufirin sirian, së bashku me një skuadër speciale të policisë sonë dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët italianë, ministri ynë i brendshëm po përcjell në këtë moment Alvinin në ambasadën italiane në Beirut, prej ku vogëlushi shqiptar do të pajiset me dokumentet e nevojshme e do të fluturojë drejt babait në Romë”, shkruan kryeministri në një postim në rrjetet sociale.
Rama ndër të tjera ka falënderuar edhe kryeministrin Konte dhe organizatat humanitare që u bënë pjesë e këtij operacioni. Kreu i qeverisë po ashtu shprehet se përpjekja nuk mbyllet këtu, sepse fëmijë e gra nga Shqipëria vazhdojnë të jenë peng në kampin-burg prej ku arritëm të nxjerrim Alvinin.
“Një falënderim i veçantë për kryeministrin Giuseppe Conte, i cili u angazhua personalisht në ndjekjen e operacionit për palën italiane.
Faleminderit edhe dy organizatave humanitare që u bënë pjesë jetike e këtij operacioni tejet kompleks e të rrezikshëm, pa harruar konsullin e nderit të Shqipërisë në Liban, që luajti një rol të pazëvendësueshëm.
Por për ne, përpjekja nuk mbyllet këtu, sepse fëmijë e gra nga Shqipëria vazhdojnë të jenë peng në kampin-burg prej ku arritëm të nxjerrim Alvinin…”, përfundon Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.