Kombetarja

Altin Rraklli e sheh ndryshe: Short i vështirë, por ku luan pa presion edhe fiton!

Fatjon Rupi – Nuk ka diskutim që shorti i grupeve të Euro 2024 është mjaft i vështirë. Spanja dhe Kroacia janë dy skuadra eksperte, Italia duket se po e kalon momentin e vështirë, çka do të thotë se shanset e kuqezinjve për kalimin e grupit janë minimale.

Altin Rraklli, ish-futbollist i Kombëtares. Gazeta Si, 2 dhjetor 2023

Opinionet gjithsesi janë për një Shqipëri dinjitoze në Europianin e Gjermanisë, pavarësisht faktit se kualifikimi mund të duket i pamundur. “Shorti? Më i vështiri i mundshëm për Kombëtaren tonë. Unë do të preferoja Grupin A ose E”, - thotë për Gazeta Si Altin Rraklli, ish-sulmuesi i njohur i Kombëtares.

Ai i referohet grupit të Gjermanisë, ku bëjnë pjesë edhe Hungaria, Skoacia dhe Zvicra. Po ashtu, ish-lojtari kuqezi sheh si të kalueshëm nga Shqipëria grupin,ku bëjnë pjesë Belgjika, Sllovakia, Rumani dhe një nga skuadrat e Play-off-it.

Për kundërshtarët e Shqipërisë, Rraklli argumenton: “Spanja, me tiki-takan e saj të njohur tashmë, është shumë e vështirë që të kalohet. Kroacia është skuadër shumë e fortë, e ka treguar në eventet më madhore, ndërsa Italia, si gjithmonë, është e aftë për të fituar tituj”.

Por ish-futbollisti kavajas sheh edhe një anë pozitive të këtij shorti: “Mund të them se jemi në një situatë ‘komode’, sepse skuadrës nuk ke se çfarë t’i kërkosh në një grup të tillë. Kjo do të bëjë që futbollistët të luajnë pa presion të madh dhe kur luan pa presion, edhe fiton. Presioni do të jetë mbi kundërshtarët tanë”, - shpreh Rraklli për Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë