Kombetarja

Altin Lala: Grup i bukur, rivali ynë direkt është Hungaria

Fatjon Rupi - Ish-futbollisti dhe ish-kapiteni i Kombëtares, Altin Lala, beson se Shqipëria mund të bëjë një fushatë eliminatore pozitive për Botërorin e Katarit. Ai e konsideron interesant Grupin I, ku kuqezinjtë bëjnë pjesë bashkë me Anglinë, Poloninë, Hungarinë, Andorrën dhe San Marinon. Lala gjykon se Hungaria është rival direkt i Kombëtares sonë.

“Nëse lëmë pas Hungarinë, them se do kemi bërë diçka të mirë”, - thekson Lala në fillim të një prononcimi për Gazeta Si. Më pas ai hyn në detaje, duke analizuar grupin tonë: “Është një grup i bukur mendoj. Ndryshe nga Liga e Kombeve, ku ndeshesh me kundërshtarë gati të barabartë dhe ke mundësi për të shkuar edhe në Europian, në kualifikueset e Botërorit do të përballesh me çdo lloj kundërshtari, nga më të fortët, siç është Anglia, e deri te më të dobëtit.

Lala me Kombëtaren gjatë një ndeshjeje ndaj Hungarisë. Gazeta Si, 8 dhjetor 2020

Çdo grup është i fortë dhe i vështirë, ndoshta përjashtim bën vetëm ai i Danimarkës, por edhe aty nuk është se është aq e lehtë. Sot nuk ka më kundërshtarë të lehtë. Edhe ekipet më “të vegjël” në letër, siç është edhe Andorra, u kanë hapur punë ekipeve me emër. Anglia dhe Polonia janë skuadra kalibri, me kualitet, edhe Hungaria ka bërë progres vitet e fundit, prandaj mendoj se nëse do ta lëmë pas atë, do të ishte sukses për ne”, - shprehet Lala, duke “shpallur” si objektiv vendin e tretë.

Ish-mesfushori gjithsesi thekson se në këtë moment nuk mund të bëhen llogari, pasi mund të ketë edhe surpriza. “Në Gjermani përdorin një shprehje: ‘nuk bëhen llogaritë pa ardhur kamarieri’. E kam fjalën që nuk mund të bëjmë llogari tani, por ndeshje pas ndeshjeje. Ne e kemi treguar se ndaj kundërshtarëve të fortë bëjmë ndeshje të mira.

Lala dhe Cana, kur ishin në Kombëtare. Gazeta Si, 8 dhjetor 2020

E thashë, nëse lëmë pas Hungarinë është mirë, por çfarë nuk ndodh. Polonia mund të lërë pikë me Hungarinë, ne mund të marrim pikë jashtë ndaj tyre dhe na shtohen shanset edhe për vendin e dytë. Të shohim… Grupi është interesant dhe rëndësi ka që lojtarët të luajnë rregullisht me klubet që të jenë në gjendje optimale kur të luajnë me Kombëtaren”, - shton ish-lojtari i Hanoverit në Gjermani.

Vlerësim për trajnerin Reja
Altin Lala e vlerëson trajnerin Edi Reja si njeriun adapt për të udhëhequr kuqezinjtë: “Për mendimin tim, trajneri Reja po punon shumë mirë. I kam ndjekur ndeshjet dhe më ka pëlqyer mënyra si i ka ingranuar lojtarët e rinj. Jemi paraqitur mirë, ndoshta në ato ndeshjet ku nuk shënuam gol patëm pak probleme. Pavarësisht moshës, Reja ka energji dhe ç’është më e rëndësishme, ka shumë eksperiencë për të drejtuar Kombëtaren.

Lala dhe Duka. Gazeta Si, 8 dhjetor 2020

Ai i ka idetë të qarta, e njeh mirë grupin e lojtarëve dhe është njeriu i duhur për ta udhëhequr skuadrën në këto eliminatore. Po ashtu, kemi një grup futbollistësh që premton, një grup që po rritet dhe që mund të bëjë gjëra të mira në të ardhmen. Elementët e rinj? Janë disa, po mund të përmend Brojën, Çepelen, Uzunin. Ajo që ka rëndësi për ta është që të kenë vazhdimësi dhe stabilitet, jo një ndeshje të jenë mirë dhe një ndeshjen tjetër jo”, - thotë ish-kapiteni për Gazeta Si.

Goli i anuluar me Anglinë në 2001-shin
Duke folur për kundërshtarët në grup, Lala kujton edhe episodin e golit të anuluar të Rrakllit me Anglinë në “Qemal Stafa”. “Edhe me kundërshtarët më të fortë, si Anglia dhe Polonia, që kanë kualitet dhe individualitete, ne kemi luajtur mirë. E kujtoj ndeshjen me Anglinë në Tiranë, ku kemi luajtur shumë mirë. Pësuam gol pas minutës së 60-të, pas një largimi të topit nga ne, dikush gjeti një korridor për Ouenin dhe u ndëshkuam.

Hasi dhe Kol gjatë ndeshjes Shqipëri-Angli, 1-3. Gazeta Si, 8 dhjetor 2020

Na u anulua edhe një gol krejtësisht i rregullt i Rrakllit. Geri Nevill ishte prapa, shumë prapa dhe e mbante në lojë, por na u anulua. Arbitrat ishin nga Lihtejshtejni dhe të nesërmen, kur ne po iknim për në klubet tona, i takuam në aeroport bashkë me Rrakllin. Arbitri na tha: ‘nuk e pashë nga dritat’. Sigurisht, ia futi kot, u justifikua. Na erdhi shumë keq, sepse bëmë ndeshje shumë të mirë, ashtu si në Gjermani pak ditë më parë. Bëmë lojëra vërtet të mira, por pa marrë rezultat”, - tregon Altin Lala.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë