Ushqim

Alkooli mund të jetë zgjidhja për krizën ushqimore

Shumë njerëz në hemisferën veriore e kanë kaluar verën duke kërkuar një pije në fund të ditës për të hequr etjen e krijuar nga nxehtësia përvëluese dhe koha e thatë. Kjo në fakt mund të jetë pikërisht ajo që u duhet edhe bimëve.

Një studim i botuar të enjten në revistën Plant and Cell Physiology ka zbuluar se alkooli mund të ndihmojë bimët të mbijetojnë në kohë thatësire, madje edhe për dy javë pa ujë.

Kur bimët nuk kanë ujë, ato prodhojnë natyrshëm etanol. Edhe pse arsyet e prodhimit të tij janë të panjohura, kjo i shtyu studiuesit të dalin në përfundimin se ndoshta, nëse u jepet bimëve alkool, ato mund të durojnë më shumë në thatësirë.

“Këto gjetje nuk janë të dobishme vetëm për bimët por edhe për fermat që rrisin oriz ose grurë”, tha studiuesi japonez Motoaki Seki, autori kryesor i studimit.

Mbrojtja e të korrave nga thatësira mund të ndihmojë në uljen e pasigurisë ushqimore e cila është një çështje që prek gati gjithë botën tashmë e përkeqësuar nga valët e të nxehtit, lufta e Rusisë në Ukrainë dhe problemet e zinxhirit të furnizimit.

Studiuesit thanë se etanoli është një mënyrë "e dobishme dhe e thjeshtë" për të rritur prodhimin e ushqimit në të gjithë botën në kohë thatësire ose mungesë uji.

Për të arritur në gjetjet e tyre, studiuesit rritën oriz dhe grurë, duke i ujitur rregullisht dhe më pas shtuan etanol në tokë afër disa bimëve për 3 ditë.

Më pas, ato nuk i ujitën asnjërën bimë për dy javë dhe kuptuan se bimët që ishin ujitur me etanol ishin rritur më shumë se bimët që ishin ujitur vetëm me ujë.

Në të majtë bimët që nuk janë ujitur me etanol, në të djathtë bimët që janë ujitur me etanol.

Rreth 75% e bimëve të grurit dhe orizit të trajtuara me etanol mbijetuan pas dy javësh ndërsa më pak se 5% e bimëve që nuk kishin etanol u thanë.

“Përdorimi i etanolit do të ishte një metodë bujqësore e dobishme, e thjeshtë dhe më pak e shtrenjtë për të rritur tolerancën ndaj thatësirës në bimë të ndryshme”, tha Seki.

Por, ai paralajmëroi se etanoli duhet të përdoret me masë, pasi përqendrimi më i lartë i etanolit pengon rritjen e bimëve.

“Me fjalë të tjera, mos e provoni këtë në shtëpi nëse nuk jeni profesionist”.

Studiuesit gjithashtu shikuan se si etanoli mbron një bimë. Ato zbuluan se kur bimët trajtoheshin me etanol, ato arrinin të mbanin ujin dhe nxehtësinë për më gjatë.

Seki dhe kolegët e tij zbuluan gjithashtu se bimët e trajtuara me etanol silleshin sikur po përjetonin thatësirën edhe kur akoma nuk kishin mungesë uji, çka tregon se etanoli i ndihmon të përgatiten për thatësirën duke u dhënë energji të durojnë më shumë pa ujë.

Seki thotë se ai dhe ekipi i tij së shpejti do të fillojnë testimin e etanolit në bimë në fusha reale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë