Politike

Alibeaj shpalli zgjedhjet për kryetarin pas një viti, por Komisioni i Rithemelimit e mbyll procesin më 30 Prill

Enkelejd Alibeaj përfshiu një periudhë një vjeçare për riorganizimin e partisë për të konkluduar me zgjedhjen e kryetarit pas lokaleve të 2023-it, por Komisioni i Rithemelimit në anën tjetër do të vijojë axhendën për ristrukturimin e partisë deri më 30 prill kur kanë vendosur edhe mbajtjen e një Kuvendi.

Komisioni i Rithemelimit u mblodh të martën në mbrëmje.

 “Siç e dini z. Basha është i shkarkuar nga kuvendi historik i 11 dhjetorit dhe nga referendumi i 18 dhjetor. Tani, për Partinë Demokratike kanë votuar për shkarkimin e tij 4446 delegatë kanë votuar për shkarkimin e tij 44 mijë anëtarë të PD-së. Kjo është e vërteta.

Kjo është e pa ndryshueshme. Duke theksuar këtë, ne jemi të vendosur të punojmë për bashkimin e PD-së në të gjitha ata të cilët besojnë se vota e lirë e anëtarëve të saj duhet të bashkojë demokratët dhe mund t’u them që ka një mirëkuptim të gjerë, gjatë këtyre ditëve në këtë drejtim.

Ka vetëm një grup parlamentar të PD-së dhe jo dy grupe të PD-së. Çdo deputet i Partisë Demokratike është i thirrur të ketë realitetin para syve. Nuk ka dy grupe parlamentare të Partisë Demokratike, por duke thënë këtë nuk është se disa qëndrime absurdë të Lulzim Bashës nuk krijuan anomali në grupin parlamentar. Gjëja më imediate e deputetëve të PD-së është që të normalizojnë jetën e grupit parlamentar.

Kam dijeni se po punohet me intensitet në këtë drejtim dhe kjo do realizohet. Sa i përket fletushkës që lexoi z. Alibeaj, mund të them vetëm kaq se në atë fletushkë Lulzim Bashën e shndërronte në plaçkë tregu”, tha Berisha pas mbledhjes së Komisionit.

I pyetur nëse është gati të rikthehet në PD, Berisha u përgjigj: “Selia është e PD dhe nuk ka asnjë mëdyshje e asnjë diskutim. Jemi në proces e sipër të të gjitha vendimeve që do merren dhe Partia Demokratike do bashkohet do shndërrohet në një forcë politike që nuk e ka pasur më të fortë Shqipëria ndonjëherë”

Ndërkohë, po gjatë të martës, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka deklaruar se grupi i rithemelimit nuk do të pranojë kushtin që për bashkimin e demokratëve ish-Kryeministri Sali Berisha të bëjë një hap pas dhe të tërhiqet nga gara për kreun e partisë.

“Politikisht mua nuk ma vendos gjykata se kush është mazhorancë në partinë time, por vota. Bashës i është kërkuar të bëjë një hap pas se është një minorancë uzurpuese. Nesër kushdo është i ftuar të garojë kundër Berishës. Kush do që të largohet Berisha, të vijë ta mundë me votë. Ndërkombëtarët janë të qartë e të kthjellët.

I takon demokratëve me votë të vendosin se nga kush lidership duhet të drejtohen. Minoranca nuk mund të na vendosin kushte. I takon Berishës të jetë udhëheqës. A duhet që Berisha të përballet me garë? Po! I takon deputetëve që t’i zgjasin dorën kujtdo demokrati që të vijë dhe të na bashkohet dhe të futet në garë, të shpreh ambicien personale për çdo pozicion. Ne jemi të hapur për çdo demokrat. Çdo mosmarrëveshje ta zgjidhim me votë. Vota është i vetmi instrument për të zgjidhur krizën në PD”, tha Këlliçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë