Politike

Alibeaj: Rama, sekret shtetëror për tenderat për Covid-19

Përmes një dalje publike në PD, ish-deputeti Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se, “qeveria shqiptare ka përdorur situatën e epidemisë për të fshehur paratë që ka shpenzuar për të blerë disa pajisje mjekësore”. Sipas tij, ministria e Shëndetësisë ka klasifikuar si sekret shtetëror 4 tendera të kryer me urgjencë për blerjen e disa pajisjeve.

“Në datën 21 mars dhe 3 prill, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar që me tender sekret 24 orësh: të furnizohet me mjete mbrojtëse për stafet shëndetësore; të blejë kite për laboratorin e QSUT-së;  të trajtojë mbetjet spitalore të pacientëve me COVID 19; të blejë respiratorë për të rritur dhe fëmijë”,- tha ai. Alibeaj nënvizoi se është skandaloze fakti që tenderat e ministrisë së Shëndetësisë për COVID 19 të klasifikohen si sekret.

“Ka zero të dhëna si u përzgjodhën kompanitë fituese. Ka zero informacion për ofertat e kompanive. Ka zero informacion për kriteret e cilësisë së mallit të blerë. Urdhri i Edi Ramës për klasifikimin sekret të tenderave të Ministrisë së Shëndetësisë do të thotë se shqiptarët nuk lejohet të dinë sa lekë kushtuan 3 kontratat e miratuara më datë 3 Prill.

Duke ndaluar çdo informacion për këto tendera askush nuk llogarit dot sa kushtuan gënjeshtrat e Edi Ramës në muajin shkurt dhe mars se Shqipëria ishte e mirëpajisur dhe e përgatitur për epideminë”, tha ai.

Sipas tij, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion SPAK duhet të verifikojnë këto procedura prokurimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë