Kombetarja

Albion Ademi: Në Finlandë s’e prisnin të zgjidhja Shqipërinë

Nga Fatjon Rupi - Për më pak se një muaj mbush 20 vjeç dhe është një nga ata të rinj, tek i cili trajneri Kristian Panuçi sheh të ardhmen e Shqipërisë. Jo më kot, bashkë me Xhakomo Vrionin, i mori nga Shpresat në ndeshjet e fundit. Albion Ademi ka lindur në Turku të Finlandës dhe është aktivizuar me kombëtaret U-17 dhe U-19 të këtij vendi, ndërsa me ndryshimin e rregullit nga FIFA ai i tha “Po” Shqipërisë dhe u bë kuqezi. U nis për te Kombëtarja U-21 e trajnerit Alban Bushi, por menjëherë e rrëmbeu Panuçi te Kombëtarja A për ndeshjen e Ligës së Kombeve me Skocinë dhe miqësoren me Uellsin.

Roli natyral në fushë i Albion Ademit është sulmues i krahut të majtë, por luan edhe në krahun e djathtë, apo edhe pas sulmuesit kryesor. Karrierën e ka të lidhur me Finlandën, ku sezonin e fundit, me fanellën e Inter Turkut, ka luajtur 25 ndeshje, 15 nga të cilat si titullar, dhe ka shënuar 4 gola. Edhe pse në moshë të re, e ka fituar një trofe, Kupën e Finlandës. Vlera e tij në treg për momentin është 100 mijë euro, por kjo shifër është e destinuar të rritet shumë shpejt.

Albion Ademi me trofeun e Kupës së Finlandës

Në një prononcim për Gazeta Si, Ademi tregon emocionet e grumbullimit me Kombëtaren e Shqipërisë, si u prit vendimi i tij në Finlandë, si i sheh eliminatoret e Europianit 2020 dhe ambiciet personale e ato si kuqezi për të ardhmen. “Thirrja në Kombëtare ishte befasi, - thotë Ademi. – Sigurisht që kam qenë shumë i lumtur në ato momente, sepse nuk e prisja. Ishte një moment shumë i bukur për mua, kur drejtuesit e Kombëtares kontaktuan me trajnerin e U-21, Alban Bushi, dhe i bënë të ditur se trajneri Panuçi donte të më kishte në grumbullim.

Nëse do të grumbullohem me Kombëtaren për eliminatoret e Europianit, do të ishte diçka e bukur. Jam gati për Kombëtaren. Grupi ynë duket i mirë, me shanse për të kaluar më tej. Kemi kundërshtarë të fortë, si Franca, Islanda dhe Turqia, por besoj se mund të kualifikohemi, nëse jemi në formën e duhur. Miqtë e mi më të ngushtë në Kombëtare janë Xhakomo Vrioni dhe portieri Krastrati, por kam edhe shumë miq të tjerë, me të cilët kontaktoj në rrjetet sociale, me lojtarë të U-21-shit dhe të Kombëtares A.

Albion Ademi

Si u prit në Finlandë vendimi im për të luajtur me Shqipërinë? Nuk e prisnin, në fakt. Më kanë kontaktuar trajnerët, të cilët më pas e kanë kanë kuptuar zgjedhjen time”, - tregon 19-vjeçari, duke lënë të kuptohet se kalimi nga ekipet e moshave të Finlandës te Shqipëria nuk ka sjellë ndonjë problem për të në vendin ku luan. Sulmuesi i ri kuqezi nuk i fsheh synimet për të kaluar në një kampionat më të fortë europian: “E shoh të ardhmen në një ekip të mirë në Europë, dua atë kem një karrierë sa më të mirë sportive dhe të gëzoj gjithë shqiptarët. E kam menduar lëvizjen në një kampionat tjetër dhe kam pasur bisedime me disa ekipe. Do të kisha dëshirë të lëvizja sa më shpejt në një kampionat më të mirë”.

Albion Ademi dhe Kastriot Dermaku në grumbullim me Kombëtaren

Kampionati në Finlandë nuk ka nisur ende. Ademi ka pasur një dëmtim, por beson se shumë shpejt do të jetë gati. “Po përgatitemi për sezonin e ri. Kam pasur një lëndim, që besoj se do të kalojë shpejt. Familja po më ndihmon shumë, më jep gjithmonë mbështetje për të ecur më tej. Idhulli im? Më pëlqejnë shumë Eden Hazard, Nejmar dhe Lionel Mesi”, - thotë në fund Albion Ademi, një nga lojtarët kuqezi më premtues, që në një të ardhme të afërt me siguri do ta shohim në një ekip dhe kampionat më të fortë se ai finlandez.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë