Futboll

Albertini sponsorizon Brojën te Milani, elozhe për sulmuesin shqiptar

Gazeta Si – Tani Milani duhet ta marrë shumë seriozisht afrimin e mundshëm të sulmuesit shqiptar, Armando Broja. Një emër i madh i këtij klubi, Demetrio Albertini, e sheh 20-vjeçarin si profilin e duhur për Milanin.

Në një intervistë për ‘La Gazzetta Dello Sport’, ish-mesfushori që ka fituar gjithçka me Milanin, shprehet: “Milanit i duhet një sulmues i ri, që të jetë brenda mundësive ekonomike dhe të bëjë diferencën menjëherë. Ibrahimoviç dhe Zhiru nuk janë të përjetshëm.

Demetrio Albertini ne dyluftim me Davids gjate nje Milan-Juventus. Gazeta Si, 14 tetor 2022

Ne nuk jemi në gjendje të konkurojmë ekonomikisht me klubet e tjera të madha europiane, kështu që duhen gjetur talente që nuk kanë hapësira te këto klube. Armando Broja i Çelsit, për shembull”.

Jo rastësisht Albertini ka përmendur vetëm emrin e Brojës. Sulmuesi i Kombëtares kuqezi është propozuar edhe më parë si një alternativë e mirë për Milanin, por kur e thotë një legjendë e tij ndryshon puna.

Megjithatë, edhe Broja nuk është aq i lirë. Para se të vendoste ta mbante për këtë sezon, klubi i Çelsit kërkonte të paktën 35 milionë euro për sulmuesin shqiptar. Trajneri Poter po e aktivizon atë si zëvendësues në Premier Ligë dhe në Champions. Broja ka shënuar edhe golin e parë me fanellën e londinezëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë