Para

Albcoin, lind dhe kriptomonedha e parë shqiptare

Albcoin, lind dhe kriptomonedha e parë shqiptare

Nga Gisela Troplini - “Ata, janë Mbinjeriu i Niçes”,- thoshte për shqiptarët Henry Noel Brailsford, një gazetar britanik rreth viteve 20’.   Ndonëse, një shekull më vonë Mbinjeriu nuk simpatizohet më, madje as nuk quhet ashtu, por ne kemi midis nesh njerëz që nuk janë të gjithë pushtetshëm por ,   qënie që daun të zhvillohen lirshëm për të tejkaluar vetveten. Të tillë që kanë bërë histori, të tillë që po punojnë për të bërë histori dhe të tjerët që po sjellin të ardhmen.

Për të po mundohen edhe dy djemtë nga Shqipëria që themeluan Albcoin, kriptomonedhën e parë  me origjinë dhe markë shqiptare.

ALBC është përshtatur në rrjetin e Ethereum, ku transaksionet miratohen, pra ndryshe nga Bitcoin,

Përfaqësuesi i Albcoin tregon për gazetën “SI”, se ka mbi tre vite që punohet për të. Shtyrë nga vëmendja dhe rëndësia që po marrin kriptomonedhat në tërësi.

”AlbCoin, krijimi i nje kriptomonedhe që do të rriste kuriozitetin për kuptimin dhe përkrahjen e kësaj teknologjie dhe në vendin tonë, këtë teknologji e cila po revolucionon sistemin ekonomik botëror”,-shprehet ai.

Themelues të monedhës digjitale shqiptare janë vetëm dy, të cilët sollën në jetë idenë dhe kodin e Albcoin. Ka disa të tjerë që punojnë për mbarëvajtjen e teknologjisë së sistemit,  që janë të shpërndarë nëpër botë. Për një monedhë në rrjet nuk nevojitet prezenca fizike e punonjësve. Ai thotë se ka dhe një grup të vogël që merret me diskutimet dhe shpërndarjen e Albcoin në rrjetet sociale.

“Ky është ekosistemi i Albcoin.”

Albcoin aktualisht është i shpërndarë dhe vepron përmes dy blockchain-eve, Ethereum, ku është “vendbanimi”origjinal i tij dhe xDai. Në treg janë hedhur 1 milionë njësi  kriptovaluta shqiptare, të cilat janë prodhuar në të njëjtën kohë kur u krijua. Në qarkullim janë mbi 40 mijë ALBC dhe janë kryer qindra transaksione, sipas përfaqësuesëve.

Si një pikë ujë në mes të oqeanit, ALBC ka akoma një vlerë të vogël, midis 0.50-0.60$ për monedhë, por krijuesit e saj parashikojnë një vlerë të pesëfishuar në një të ardhme të afërt.

“Vlera e një AlbCoin është dinamike jo statike, që do të thotë se vlera e saj varet nga sa kërkesë ka për të në tregun global të kriptovalutave dhe raportet e ekuilibrave që ka me kriptomonedha të tjera. Një njësi ALBC aktualisht lëviz brenda 0.50 deri në 0.60$ si vlerë e këmbyeshme në dollarë. Fully Diluted Marcet Cap i Albcoin  duke marrur parasysh vlerën aktuale, llogaritet rreth 500.000$. AlbCoin me kohen vetëm bëhet më i fortë, mendojmë se minimalisht brenda fundit të vitit do ketë pesëfishim të vlerës aktuale,”-shprehet ai për “SI”.

“Nuk ka një mënyrë standarde për të krijuar një kriptovalutë, krijuesi i saj zgjedh karakteristikat që një kripto duhet të ketë. Albcoin vetë është një Smart Contract brenda blockchain-it Ethereum dhe xDAI. Gjuha e programimit që është përdorur për programimin e AlbCoin është Solidity, kodi i AlbCoin është i ndërtuar me protokollin Erc20 (protokoll i nevojshem për të ekzistuar brenda ecosistemit Ethereum) me mbi 2.400 rreshta programim dhe është unik nga të gjitha kodet e kriptomonedhave të tjera në botë. Kodi përmban karakteristikat vetjake të Albcoin, kodin e AlbCoin-it mund ta gjeni në faqen Etherscan të Etherium, është publik dhe është i ruajtur me MIT licensë.”

Përfaqësuesi i ALBC tregon se investimi në të është po aq i sigurt sa në Bitcoin apo Ethereum. “Albcoin është krijuar dhe jeton në zinxhirin e kriptomonedhave botërore, gjë që siguron garanci këmbimi, pranimi dhe njohje nga të gjitha kriptot, portofolet elektronike, exchanget e zakonshme apo Dex (Decentralized Exchange) në mënyrë direkte pa nevojën e një pale të tretë.

Kriptomonedha shqiptare mund të këmbehet në para të thata nëpërmjet proceseve me disa kalime.

“Shpresojmë që së shpejti dhe institucionet shqiptare të ofrojnë shërbime plus për të lehtësuar këmbimin e ALBC në Cash. Vende shumë të zhvilluara po e trajtojnë me kujdes krijimin e rregullave fikse për kriptot.”

Institucionalizimi sipas ekspertëve mund të ulë vlerën e monedhave digjitale dhe të prishë tregun e tyre. Përfaqësuesit e Albcoin, mund të pranojnë “dorën e padukshme” me kushte dhe pa i prishur punë dorës së tyre.

“Kriptomonedhat kanë lindur për të qenë një mjet këmbimi i lirë në të gjithë botën përveç se në vendet me regjime diktatorale. Nëse arrihet të ruhet esenca e kriptove, institucionalizimi është i mirëpritur.”

“Nuk është biznes, është inovacion, përkufizimi i kriptove është kompleks. Kur një person merr Albcoin nuk i blen ato si malle konsumi, por merr në këmbim të njëjtën vlerë monetare në formë elektronike, pra është një akt këmbimi me një monedhë tjetër që nuk të rri në portofolin tënd të zakonshëm, por në wallet-in tënd elektronik. Dikur përdorej floriri si mjet këmbimi, pastaj kripa, sot letrat e stampuara, nesër kriptomonedhat. Çdo kush që ka ALBC bën fitime me rritjen e vlerës së tij.”

Në mbështetje të ALBC, është krijuar dhe platforma që vjen në ndihmë të investitorëve dhe jo vetëm.

Një monedhë digjitale nën emrin e Shqipërisë që mund të bëhet pjesë e një rrjeti të fuqishëm dhe të vlefshëm ose thjesht pjesë e një flluske globale. Por, siç thonë etërit e ekonomisë, një produkt për sa kohë sjell vlerë të shtuar në treg nuk është ende spekulim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë