Dosje

Akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, Turqia pranon ekstradimin në Shqipëri të Dritan Rexhepit

Gazeta Si - Turqia ka pranua të ekstradojë në Shqipëri të Dritan Rexhepit, një nga trafikantët ndërkombëtarë më të rrezikshëm të drogës, i cili u arrestua në Stamboll në muajin mëntor 2023.

Rexhepi, 43 vjeç, është një nga personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, pasi akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, përfshi këtu vrasjen e policëve Arben Keqi dhe Durim Kasmi, si dhe porositjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës.

Nga Italia, Rexhepi kërkohej si kreu i një organizate të fuqishme që merrej me trafikun e kokainës nga vendet latine drejt Europës. Rexhepi ka qenë më parë i burgosur në Ekuador, vend ku ishte i përfshirë në trafikun e kokainës.

43-vjeçari, i cilësuar si koka e kartelit të drogës, u arrestua në Stamboll me një pasaportë kolumbiane, të regjistruar me emrin Benjamin Omar Perez Garcia.

Ministria e Drejtësisë i dërgoi më 22 nëntor 2023 Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë, dosjen e përgatitur me kërkesën për ekstradimin e Dritan Rexhepi, i cili u arrestua në Stamboll.

“Ministria e Drejtësisë ju bën me dije se ditën e sotme, më datë 22.11.2023, ka përcjellë në Ministrinë e Punëve të Jashtme për t’u dërguar në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë, dosjen e përgatitur me kërkesën për ekstradimin drejt Shqipërisë të shtetasit, Dritan Rexhepi!

Dosja e tij, me kërkesën për ekstradimin e shtetasit Dritan Rexhepi, është nisur në bazë të kërkesave të paraqitura nga SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë datë, 16.11.2023 dhe 17.11 2023”, thuhej në njoftim.

Vetë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në 17 nëntor u shpreh para mediave se dosja e SPAK dhe e Prokurorisë së Përgjithshme për Dritan Rexhepin, kishte mbërritur në institucionin që ai drejton. 

Në garë me Shqipërinë për ta ekstraduar Rexhepin, ishte edhe Italia, e cila ndihmoi autoritetet turke në gjurmimin dhe më pas në arrestimin e tij në një vilë në periferi të Stambollit. Por edhe Anglia dhe Belgjika e kërkuan ekstradimin e trafikantit shqiptar të drogës.

Shqipëria e ka dënuar Rexhepin për vrasje me 25 vjet burg, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim dokumentesh dhe e akuzon si urdhërues të një rrëmbimi me pasojë vdekjen, si dhe trafik narkotikësh.

Nga ana tjetër, në Itali Rexhepi ishte dënuar për trafik narkotikësh me 16 vite burg dhe është i pandehur si drejtues i organizatës “Compania Bello”.

Arrestimi i tij u bë në një lagje të Stambollit, ku ai fshihej me një identitet të rremë. Lajmin e bëri të ditur ministri i brendshëm turk, Ali Yerlikaya i cili përmes një postimi në rrjetet sociale theksoi se kreu i organizatës së drogës “Kompania Bello”, i kërkuar nga autoritetet shqiptare dhe italiane u arrestuar gjatë operacionit “Kartel” të organizuar nga autoritetet turke në një vilë luksoze në Stamboll.

Gjatë ndalimit atij iu gjetën armë, sasi të mëdha monetare, drogë dhe sende të tjera me vlerë. Rexhepi ishte futur në Turqi nga Aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane të regjistruar në emër të Benjamin Omar Perez Garcia, ndërsa arrestimi i tij u bë i mundur falë shkëmbimit të informacioneve mes autoriteteve turke, italiane dhe atyre shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë