Drejtësia

Akuzohej për vrasjen e ish-efektivit të Krimeve, Gjykata e Elbasanit shpall të pafajshëm Donald Hoxhën

Gjykata e Elbasanit ka shpallur të pafajshëm Donald Hoxhën, i cili akuzohet si autor i dyshuar i vrasjes së ish-efektivit të Krimeve, Roland Rexhepi, i njohur si “Doda”.

Prokuroria kishte kërkuar 16 vite burgim për Hoxhën, i cili dyshohej në rolin e ndihmësit në vrasjen e Rexhepit.

34-vjeçi u arrestuar në Londër dhe u ekstradua në vendin tonë.

Donald Hoxha akuzohet se në datën 22 korrik 2009 në qytetin e Elbasanit në bashkëpunim me Armand Llakaj dhe Marjus Tafaj, kanë vrarë me armë zjarri ish-policin Roland Rexhepin, pasi dyshohej se kishte tentuar që të prishte vendngjarjen në vrasjen e Sokol Çapjes dhe kishte ndihmuar autorët të largoheshin nga Elbasani.

Ish-efektivi, i njohur ndryshe edhe si “Doda” u ekzekutua me dy armë tip kallashnikov mëngjesin e 22 korrikut pranë banesës së tij teksa po shkonte te parkingu ku kishte makinën.

Në këtë moment i është afruar me motor “Zong-Zhung” njëri nga autorët e krimit, Armando Llakaj, i cili ka hapur zjarr në drejtim të Rexhepit duke e lënë të vdekur në vend. Ngjarja erdhi si rezultat i përplasjes mes bandave të qytetit të Elbasanit.

Pak kohë pas ngjarjes, policia arriti të sigurojë prova dhe të arrestojnë Marjus Tafën dhe Armando Llakajn, tashmë janë dënuar me 24 dhe 23 vite burgim, ku vijojnë të vuajnë dënimin në burgun e Peqinit.

Roland Rexhepi ka qenë agjent i antidrogës dhe shofer i drejtuesit të Policisë së Elbasanit, Edmond Koseni, në atë kohë. Dy vite më vonë atij iu vra vëllai, Ilir Rexhepi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë