Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj përmes një letre publike ka njoftuar se do të niset që sot drejt shtetit fqinj, që të ekzekutohet vendimi i drejtësisë italiane për dënimi ndaj tij.
Agron Xhafaj deklaron se do të paraqitet tek autoritete italiane edhe pse nuk ka patur asnjëherë një kërkesë nga drejtësia e shtetit fqinj dhe nuk ka qenë asnjëherë në kërkim për ekzekutimin e vendimit të saj.
Agron Xhafaj vijon sqarimin e tij “Nuk i jam shmagur hetimit dhe gjykimit në këtë çështje, por përkundrazi, kam bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të qënë prezent në Itali gjatë hetimit dhe më pas gjatë gjykimit tim. Janë të plota dhe të dokumentuara të gjitha përpjekjet e mia në këtë drejtim.
Ishin vetë autoritetet italiane që më liruan pas një muaji ndalimi dhe urdhëruan largimin tim nga Italia. Për rreth një dekadë kam bërë disa kërkesa për t’u pajisur me vizë pikërisht për të ndjekur pranë drejtësisë italiane çështjen time. Në të gjitha rastet kjo kërkesë më është refuzuar”- shkruan vëllai i ministrit të Brendshëm.
Agron Xhafaj pranon se ka gabuar në rininë e tij, por “nga viti 2002 nuk ka asnjë sjellje apo vepër që është në kundërshtim më ligjin. Ai ka theksuar se prej shumë kohësh energjitë dhe vëmendja i janë kushtuar tërësisht familjes se tij.
Më tej, Agron Xhafaj deklaron “Kam gjithë këto vite që mbaj përbrenda këtë barrë. Edhe pse e dija shumë mirë që duhej të paguaja për çfarë kisha gabuar në rininë time. Pavarësisht se ajo që më kërkon drejtësia të shpaguaj, është shumë më shumë se gabimi që kam kryer”.
Nisur nga akuzat e opozitës ndaj tij, në letrën publike Agron Xhafaj thotë:
“Sot, si rrjedhojë e këtij presioni politik dhe publik kundrejt familjes time, në pamundësinë për t'i ofruar fëmijëve një jetesë të qetë e pa stresin e përditshëm të shpifjeve e shantazhit, por edhe në bindjen time se ky është vendimi i duhur, marr guximin të kryej vetë këtë hap të rëndësishëm dhe të përballem në rrugë ligjore me ekzekutimin e vendimit”
Agron Xhafaj njofton se ka dhënë shpjegime edhe në prokurori lidhur me audio-përgjimin e publikuar nga PD, për të cilin thotë së është i sajuar dhe një montazh i paskrupullt ndaj tij dhe familjes së tij.
“Njëkohësisht, pranë Prokurorisë, kam deklaruar e dhënë shpjegime konform ligjit, se audio e publikuar, përfshirë efektet zanore si dhe imazhet e sajuara janë false, dhe janë bërë publike në media me qëllim shantazhin dhe presionin ndaj meje e vëllait tim, Ministër i Brendshëm. Ditën e djeshme, datë 15 Maj 2018, kam kryer të gjitha procedurat e nevojshme, të parashikuara nga ligji, përfshirë depozitimin e zërit tim pranë Prokurorisë së Tiranës dhe në prani të ekspertit të fushës, duke ofruar në këtë mënyrë të gjithë bashkëpunimin e mundur në funksion të zbardhjes së të vërtetës. Shpresoj që prokuroria dhe gjykata t'i shkojnë deri në fund hetimit penal dhe civil ndaj montazhit të paskrupullt ndaj meje e familjes time”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.