Futboll

Akuza të forta për M.Sitin, rrezikon heqje pikësh ose përjashtim nga kampionati

Gazeta Si – Në shënjestër të hetimit janë veçanërisht sponsorizimet e fryra me kompanitë nga Emiratet. Klubi anglez do të gjykohet nga një komision i pavarur dhe rrezikon ndëshkim me heqje pikësh, ose përjashtim nga kampionati.

Mançester Siti do të gjykohet nga Premier Liga për një sërë shkeljesh të mundshme të karakterit financiar. Po hetohen konkretisht 9 bilance, nga sezoni 2009-10 te 2017-18. Drejtuesit e klubit duhet t’u përgjigjen akuzave përpara një komisioni të pavarur.

Mansur bin Zajed Al Nahian, pronari i Sitit. Gazeta Si, 6 shkurt 2023

Për të ardhur në këtë pikë janë bërë gati 5 vjet hetime në lidhje me sponsorizimet e fryra me kompani nga Emiratet e Bashkuara, nga ku është edhe pronari i klubit, sheiku Mansur, që bën pjesë në rrjetin global ‘City Football Group’.

Premier Liga filloi punën pas zbulimeve të ‘Football Leaks’. Tani, në komunikatën e ligës angleze theksohet se Mançester Siti nuk ka dhënë informacion të saktë financiar "në veçanti sa u takon të ardhurave (përfshirë edhe ato të sponsorizimit), palëve të përfshira dhe kostove”.

Siti akuzohet gjithashtu se nuk ka publikuar në mënyrë plotësisht transparente kostot që lidhen me pagat, se nuk ka respektuar ‘fair play’-in financiar të UEFA-s, se ka shkelur normat qëndrueshmërisë dhe se nuk ka bashkëpunuar me Premier Ligën për hetimet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë