Drejtësia

Akuza për falsifikim dokumentesh, Luan Daci përballet me të shkarkuarit nga vettingu

Gjykata e Posaçme kundër Krimit e Korrupsionit do të zhvillojë sot seancën gjyqësore për anëtarin e KPA-së, Luan Daci.

Mësohet se Besnik Cani, ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ish-prokurorja Antoneta Sevdari dhe ish-gjyqtari Ervin Metalla do të dëshmojnë kundër Dacit.

Cani, Sevdari dhe Metalla janë shkarkuar nga detyra nga KPA.

Në seancën e mbajtur më 23 tetor, Daci ka qenë në gjyq ku është njohur edhe me kërkesën e prokurorisë për të thirrur si dëshmitarë tre të shkarkuarit nga vettingu.

Personat në fjalë janë edhe tre kallëzuesit e Daçit, të cilët njoftuan SPAK për të hetuar anëtarin e vettingut për falsifikim të dokumenteve me qëllim fitimin e postit si gjyqtar i posaçëm i kolegjit të apelimit.

Luan Daci është anëtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ndërsa më herët është pezulluar dhe rikthyer në detyrë, për shkak se akuzohet për falsifikim dokumentesh.

Gjyqtari Daci në aplikimin e kryer prej tij në shkurt të vitit 2017, për t’u emëruar në funksionin e mësipërm, ka paraqitur rrethana të rreme, duke mos deklaruar faktin se ndaj tij është marrë më parë masa disiplinore “largim nga puna”. Gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, në vitin 1997 është shkarkuar nga sistemi i drejtësisë, për shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë