Futboll

Akuza nga Austria për skandalin e basteve: Shqiptarët më kërcënojnë me jetë!

Shtypi austriak ka rikthyer në vëmendje skandalin e basteve të vitit 2014 në këtë vend dhe në skenë kanë dalë “bosët” shqiptarë. Ish-futbollisti Sanel Kuljiç, i cili ka telefonuar në redaksinë e “Kronen Zeitung”, ka rrëfyer në një bisedë me gazetarin Hannes Steiner se ndihet i kërcënuar nga shqiptarët, që sipas tij, nuk dhanë kurrë llogari për atë skandal të madh të manipulimit të ndeshjeve. Kuljiç, i akuzuar për mashtrim dhe manipulim ndeshjesh, u dënua me 5 vite burg, por tashmë është liruar para kohe për sjellje të mirë.

Kush janë “bosët” shqiptarë që kërcënojnë ish-futbollistin? Kuljiç nuk përmend emra, por tregon se jeta e tij është në rrezik nga presidenti i Skënderbeut dhe pronari i një kompanie të madhe pijesh energjike austriake, duke iu referuar Ardjan Takajt dhe Agim Zeqos. "Ata u përpoqën përsëri të më kontaktojnë me anë të një ish-të burgosuri dhe më bënë presion. Jam i shqetësuar për jetën time. Ata nuk u thirrën kurrë për të dhënë llogari për skandalin e madh të basteve. Ata janë shqiptarë, presidenti i klubit “Skënderbeu”, që është dënuar për 10 vjet nga UEFA për manipulim ndeshjesh, dhe pronari i një prej kompanive më të mëdha të shpërndarjes në Shqipëri të pijeve më të famshme energjike austriake”, - thotë Kuljiç në rrëfimin e tij për gazetën austriake.

Sanel Kuljiç në gjyq. Gazeta Si, 12 shtator 2019

Sipas ish-futbollistit, ndeshjet vazhdojnë të manipulohen edhe sot në ligën më të lartë të futbolli austriak. “Dua t’i them publikisht gjërat, sepse kjo më bën të ndihem më i mbrojtur, se sa të pres hetime të gjata dhe pa rezultat nga policia", - shton më tej Kuljiç, duke lënë të nënkuptohet gjithashtu se edhe organet hetimore në Austri janë të korruptuara dhe nuk shfaqin interesin e duhur për çështjen në fjalë.

Kuljiç, 41 vjeç, ka qenë sulmues dhe është aktivizuar me skuadra thuajse të të gjitha niveleve të futbollit austriak, deri tek Austria e Vjenës. Ai ka luajtur gjithashtu në Zvicër dhe në Greqi. Skandali i basteve, ku austriaku është përfshirë dhe dënuar, nuk është i njëjtë me atë që UEFA ka hetuar për të dhënë më pas dënimin 10-vjeçar jashtë Kupave të Europës për Skënderbeun. Gjasat janë që në këtë skandal të jenë përfshirë miqësoret që Skënderbeu luante në atë kohë në Austri, ku zhvillonte gati sistematikisht fazën përgatitore të verës dhe ndeshej me skuadra me emër, si Dinamo Kiev, Shakhtar Donjetsk etj.

Mbetet për t’u parë, nëse do të ketë zhvillime të reja nga hetimet e mundshme të organeve kompetente në Austri, pas këtyre deklaratave të ish-futbollistit Kuljiç, ku në qendër janë edhe “bosët” shqiptarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë