Kombetarja

Akuza e rëndë e Bushit: Disa lojtarë ‘tradhtojnë’ kombëtaren u-21

Nëse kombëtarja e madhe arriti të dalë nga balta me fitoren 0-3 në Andorra, “kombëtarja e vogël” vijon të dështojë ndeshje pas ndeshje. Debutimi në eliminatoret e kampionatit europian ishte për t’u harruar, humbje me Turqinë dhe barazimi 2-2 me kombëtaren modeste të Andorrës i zhgënjeu shumë të gjithë, në krye të të cilëve edhe vetë trajnerin Alban Bushin. Përtej këtij rezultati dhe justifikimeve që Bushi paraqiti për këtë performancë të dobët, ajo që ra në sy ishte akuza e tij për disa lojtarë, që nuk e ndjejnë përgjegjësinë e fanellës kuqezi.

Alban Bushi në konferencën për shtyp në ambientet e FSHF-së, ndër të tjera tha se disa lojtarë ishin të dëmtuar dhe disa të tjerë nuk e shprehën angazhimin maksimal në të dyja ndeshjet. Nuk kishte një akuzë të drejtpërdrejtë, por dëmtimi i mesfushorit të Partizanit Esat Mala dhe mundësa që atë ta shikojmë në fushë në ndeshjen Kukësi-Partizani nuk i ka pëlqyer aspak trajnerit kuqezi. Bushi tha se nuk e hodhi në fushë Malën, pasi ai kishte shfaqur disa shqetësime, që u konfirmuan nga mjekët, por nëse ai do të luaj këtë të premte me klubin e tij, atëherë do të thotë se ka diçka që nuk shkon dhe se lojtari ka shfaqur shenja të mos angazhimit me ekipin kombëtar.

I ndikuar paksa edhe nga rezultatet e dobëta Bushi ishte i ashpër në fjalën e tij, duke shtuar se përveç Malës ishin edhe 2-3 lojtarë të tjerë që nuk ishin të gatshëm të jepnin maksimumin për fanellën kuqezi. Duke nënvizuar se nuk mund të bëhet shaka me fanellën e kombëtares, të cilën ai e ka veshur për shumë vite me radhë, Alban Bushi paralajmëroi se në grumbullimin e ardhshëm këta lojtarë që kanë shfaqur këtë sjellë në dy ndeshjet e fundit, nuk do të grumbullohen.

“Ai ka pasur një dëmtim përpara ndeshjes, që erdhi prej fushës, ka pasur gjurin. Jo vetëm Mala, por edhe 2-3 lojtarë të tjerë, unë do t’i ndjek nëse do të luajnë, sepse me ekipin kombëtare U-21 nuk mund të bësh shaka. Kur je aty duhet të japësh maksimumin. Nëse një lojtar është i dëmtuar ditën e hënë e të martë me ekipin kombëtar dhe të premten jep 100% me ekipin e tij, atëherë është e vështirë që ai lojtarë të jetë pjesë e ekipit kombëtar U-21. Me tha që nuk mund të luaj, edhe stafi më tha që ka tërheqje. Sipas doktorit është e pamundur të luash 2 apo 3 ditë më mbrapa. Shumë e shikojnë si kalimtar ekipin kombëtar U-21, pastaj kur nuk i merr ata fillojnë dhe marrin në telefon trajnerët e tyre. Siç i marrin trajnerët tani dhe u thonë që mundohuni të luani 30 minuta ndaj Andorrës. Gjithsesi në grumbullimin e ardhshëm do të kemi 2-3 mungesa nga këto që thashë”- tha Alban Bushi, trajneri i kombëtares “shpresa”.

Për Alban Bushin, që e drejton përfaqësuesen u-21 më shumë se dy vitesh, një nga problemet më të mëdha në punën e tij është ndërhyrja e trajnerëve të ekipeve nga vijnë lojtarët. Sipas tij ka shumë raste kur trajnerët e klubeve kërkojnë që lojtarët e tyre të mos luajnë më shumë se 30 minuta në ndeshjet e kombëtares u-21.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë