Taksa

AKU: Nuk ka amnisti për biznesin e ushqimit pa licencë

Pas propozimit që ish ministri i shëndetësisë Ilir Beqja i ka bërë kuvendit për të amnistuar gjobat e disa bizneseve që ushtronin veprimtarinë e tyre në tregtinë ushqimore dhe produkteve shtazore pa licensë për mungesë informimi sipas tij, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit regon për gazetën “Si”.

“Ushtrimi i biznesit ushqimor pa licensë nuk duhet as të mendohet, prandaj është edhe kundravajtja më e madhe administrative”- citon AKU në reagimin e saj për “Si”.

Ajo e konsideron iniciativën e Deputetit Beqaj, si një e drejtë që buron në Kushtetutë dhe “ne e respektojmë, por vetë deputeti shprehet se gjobat janë aplikuar në zbatim të dispozitave ligjore dhe rregullatore në fuqi.”

Për AKU, padijenia e biznesit për parashikimet ligjore dhe rregullatore nuk i përjashton ato nga përgjegjësia.

AKU, nënvizon se mbart detyrimin ligjor për këshillimin teknikisht të Operatoreve të Biznesit Ushqimor për praktikat e mira të prodhimit, përpunimit, tregtimit, por thekson se nuk ka asnjë detyrim ligjor për të shërbyer si konsulent ligjor apo administrativ për biznesin.

Vetë biznesi ushqimor, si çdo biznes tjetër, sqaron Autoriteti, kur rregjistrohet në QKB dhe pajiset me NIPT, plotëson një vetëdeklaratë se ai njeh dhe do të zbatojë legjislacionin në fuqi për veprimtarinë që kërkon të ushtrojë.

Gazeta “Si” u interesua edhe pranë Qendrës Kombëtare të Licensimeve.

Sipas institucionit, është e pamundur që subjektet të mos informohen mbi procedurat që duhet të ndjekin për veprimtarinë që do të kryejnë. “Pasi marrin Niptin, ata aplikojnë për licensë, sepse Nipti e merr licensën, jo personi. Megjithatë, mosnjohja e ligjit, nuk shpëton askënd nga kundravajtja e kryer”, thotë AKU.

Cila është procedura e paisjes me licensë për subjektet ushqimore?

Subjekti aplikon për licencë pasi ka marrë një NIPT në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe ka plotësuar formularin e vetëdeklarimit. Licenca në këtë rast i përket kategorisë II sepse bëhet fjalë për tregti ushqimesh dhe produktesh shtazore.

Kërkesa për këtë licencë paraqitet pranë QKL-së. Kërkesa përbëhet nga formulari tip i plotësuar dhe dokumentet shoqëruese përkatëse. Formulari tip përmban, të paktën, emërtimin e kategorisë /nënkategorisë, llojin e veprimtarisë, të dhënat për identifikimin e kërkuesit dhe të personit që paraqet kërkesën, vendin e ushtrimit të veprimtarisë, të dhëna të tjera specifike, sipas kategorisë , deklaratën e kërkuesit, që vërteton se i njeh kriteret e licencimit dhe I përmbush ato.

Gjithashtu, deklaratën për vërtetësinë e dokumenteve shoqëruese dhe që i njeh dhe i pranon detyrimet e licencimit e do t'i përmbushë ato; Listën e dokumenteve shoqëruese që duhet paraqitur.

Ish-Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja ka propozuar pak ditë më parë që gjobat e vendosura nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për subjektet e biznesit ushqimor në periudhën 1 korrik 2019 deri në 31 gusht 2019 të fallen, pasi drejtuesit e subjekteve nuk ishin në dijeni që duhet të pajiseshin me licencë.

Sipas ndryshimeve që iu bënë Kodit Penal ata që minojnë sigurinë ushqimore dënohen sipas rastit me 3-15 vite burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë