Ekspozite

Aktivistët hedhin pure patatesh kundër pikturës së Claude Monet në një muze në Gjermani

Nga Gazeta Si - Piktori francez, Claude Monet, kohët e fundit është bërë artisti që është në qendër të protestave të aktivistëve.

Kjo, pasi anëtarët e një grupi mjedisor gjerman hodhën pure patatesh mbi një nga pikturat e tij në muzeun “Barberini” në Posdam, Gjermani.

Dy aktivistë nga Letzte Generation (Gjenerata e Fundit) hynë në Muzeun “Barberini” dhe lyen me patate veprën “Les Meules”të Monet-it.

Protestuesit thanë se akti ishte si një thirrje zgjimi përballë një katastrofe klimatike.

Grupi tha se kishin vendosur ta bënin këtë veprim në përpjekje për të përcjellë mesazhin e tyre.

“Njerëzit po vdesin nga uria, njerëzit po ngrijnë, njerëzit po vdesin”, tha një nga aktivistët në një video të incidentit të postuar në Twitter nga “Letzte Generation”. “Ne jemi në një katastrofë klimatike dhe gjithçka që keni frikë është supa me domate ose pure patatesh në një pikturë. A e dini se nga çfarë kam frikë? Kam frikë sepse shkenca na thotë se nuk do të jemi në gjendje të ushqejmë familjet tona në vitin 2050. Kjo pikturë nuk do të vlejë asgjë nëse na duhet të luftojmë për ushqim. Kur do të filloni më në fund të dëgjoni?”.

Një zëdhënës i muzeut tha se piktura ishte e mbrojtur me xham dhe se nuk ishte dëmtuar.

Ai tha gjithashtu se policia kishte mbërritur shpejt në vendngjarje dhe kishin ndaluar dëmtimin e pikturës nga aktivistët.

Aktivistët akuzojnë qeverinë gjermane për injorimin e të gjitha paralajmërimeve dhe se po çojnë vendin në “buzë të humnerës”.

Gjithashtu ata thonë se janë pjesë e gjeneratës së fundit që mund të parandalojë kolapsin e shoqërisë.

Akti ndodhi nëntë ditë pasi aktivistët e “Just Stop Oil” hodhën supë me domate mbi “Lulediellin” e Vincent van Gogh-ut në Galerinë Kombëtare në Londër.

Galeritë e artit janë bërë vende të njohura për protesta që tërheqin vëmendjen kohët e fundit.

Në korrik, dy anëtarë të grupit aktivist italian të klimës Ultima Generazione (gjithashtu Gjenerata e Fundit), të cilët ngjitën me ngjitës duart e tyre në xhamin që mbron veprën “Primavera” të Sandro Botticelli-t në galerinë “Uffizi” në Firence.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë