Mjedis

Aktivistët e Vjosës fitojnë Çmimin ‘Nobel të mjedisit’

Nga Gazeta Si- Olsi Nika dhe Besjana Guri janë fituesit e çmimit “Goldman”, që ndryshe njihet edhe si Nobeli i mjedisit pasi nderon aktivistët që mbrojnë natyrën dhe mjedisin.

Dy aktivistët kanë promovuar dhe mbrojtur Vjosën nga ndërtimi i hidrocentraleve, duke arritur që lumi të shpallet i egër, ndërsa zona një Park Kombëtar.

Olsi Nika dhe Besjana Guri për më shumë se 10 vite kanë synuar ruajtjen dhe mbrojtjen e Vjosës dhe pas një pune të madhe me ndërkombëtarët, dy vite më parë u arrit statusi i veçantë, i cili siguroi mbrojtjen e 270 kilometrave të lumit Vjosa në rrjedhën e lirë përmes Shqipërisë, si dhe të degëve të tij, duke përfshirë gjithsej 400 kilometra të korridoreve të egra lumore.

Ceremonia e dhënies së çmimit u organizua në San Francisko, ku dy aktivistët shqiptarë morën vlerësimin më të lartë që jepet në botë për aktivistët e mjedisit.

Fituesit e Çmimit zgjidhen nga një juri ndërkombëtare nga nominimet konfidenciale të dorëzuara nga një rrjet global organizatash dhe individësh mjedisorë.

Gjatë 36 viteve, Çmimi Goldman ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në mbarë botën. Deri më sot, ai ka nderuar 233 fitues nga 98 vende të ndryshme.

Pasi mori çmimin, Guri tha se ishte një sfidë shumë e madhe por falë përkushtimit të shumë njerëzve dhe të një pune kolosale, u arrit ajo që as nuk imagjinohej më parë.

“Ne bëmë ndryshimin, jo vetëm për Shqipërinë por edhe për të frymëzuar të gjithë botën. Suksesi ynë për të mbrojtur Vjosën ishte fitorja e parë e natyrës”, tha Guri.

Ndërsa Nika u shpreh se edhe pse në fillim ishin pak persona, shumë shpejt numri u shtua dhe të gjithë bashkë arritën të mbronin Vjosën nga projektët e qeverisë.

“E marr këtë çmim me premtimin se do jem gjithmonë mbrojtës i natyrës dhe se historia e lumit Vjosa nuk mbaron këtu”, tha Nika.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë