Kombetarja

Shqipëria ‘e dehur’ nga kualifikimi! S’ka gola në ‘Air Albania’, por e mbyllim të parët në grup

Gazeta Si – Barazim i vakët pa gola ndaj Ishujve Faroe në 'Air Albania', por Shqipëria i mbyll këto kualifikuese në vend të parë, me 15 pikë. Një arritje historike kjo për kuqezinjtë, pasi kurrë më parë nuk janë renditur në një pozicion të tillë, kurse në Europian shkojnë për herë të dytë, pas Francë 2016. Duket se festa e paralajmëruar dhe kualifikimi i siguruar i kanë 'dehur' djemtë e Silvinjos.

Nuk ishte ajo Shqipëria e ndeshjeve të mëparshme dhe kjo pritej në një farë mënyre, por jo që kuqezinjtë të hasnin aq vështirësi ndaj kundërshtari si Ishujt Faroe. Megjithatë, nuk është momenti për kritika, por për të shijuar kualifikimin dhe këtë vend të parë historik në eliminatore.

Pjesa e parë nuk ishte në nivelin e kërkuar. Daku, titullar në këtë ndeshje, pati disa mundësi, sidomos në fundin e kësaj pjese, por u ndal nga portieri kundërshrtar, ashtu si dhe Uzuni. Edhe beratasi nuk ishte një ditë të mirë dhe në pjesën e dytë u zëvendësua nga trajneri Silvinjo.

Në fushë u futën edhe Muçi, Cikalleshi, Laçi dhe Muçolli, por sërish Kombëtarja jonë nuk mundi ta çante mbrojtjen e Ishujve Faroe. Golit iu afrua në një moment Asani, gjuajtja e të cilit u devijua nga një mbrojtës. Në fund skuadra jonë e spostoi lojën në gjysmëfushën dhe Bajrami, nga më të mirët në fushë, u mundua të filtronte topa në zonë, por pa rezultat.

Mbyllet me këtë barazim 0-0 fushata kualifikuese e Kombëtares sonë, që meriton fjalët më të mira, edhe pse në dy ndeshjet e fundit sikur kishte humbur diçka nga shkëlqimi i saj. Është koha për festë.

Episodet

Mbyllet ndeshja, 0-0.

90' - Cikalleshi ka mundësinë të rrezikojë, por vonohet në zonë dhe aksioni thyhet nga kundërshtari.

74' - Cikalleshi dhe Muçi në fushë, dalin Daku dhe Asani.

65' - Asllani provon me një gjuajtje nga jashtë zonës, topi kalon mbi tra.

61' - Laçi merr vendin e Bares, Muçolli të Uzunit.

Mbyllet pjesa e parë, 0-0.

45+7' - Përsëri Bajrami dhuron një top të bukur për Dakun, i cili del i vetëm me portierin kundërshtare dhe nuk arrin ta kalojë.

45+5' - Bajrami pason bukur për Uzunin, i cili gjuan me të majtën, devijon portieri.

36' - Bajrami krijon hapësirë dhe gjuan në pozicion ballor, grushton portieri Rejnatrod.

30' - Ndërhyrje mjaft e rrezikshme me taka e një lojtari të Ishujve Faroe ndaj një shoku të skuadrës, që mbetet i shtrirë në fushë dhe merr ndihmën mjekësore.

19' - Daku del i vetëm përballë portierit kundërshtar, që e ndal, por ka edhe një pozicion jashtë loje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë