Politike

Rama: Në Prishtinë, pas fletë-rrufesë speciale si njollë turpi

Kryeministri Edi Rama nisi këtë të hënë një vizitë dyditore me agjendë të ngjeshur me takime me të gjithë udhëheqësit dhe spektrin politik të Kosovës, ku kryetema e diskutimeve pritet që të jenë zhvillimet pas aktakuzës për krime lufte të ngritur nga gjykata speciale ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

“Në Prishtinë për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë,e cila praktikën e akuzës  publike pa akt-akuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologjike e para tyre”, shkruan Rama në Twitter.

Rama i ka nisur takimet me kreun e Nismës, Fatmir Limaj rreth orës 13:00. Dy orë më vonë është parashikuar takimi me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Në orën 16:00, Rama do të ketë një takim me Kryeministrin Abdullah Hoti, që sipas agjendës parashikohet që të zgjasë rreth dy orë. Në orën 18:00 Rama do të takohet me kreun e PDK-së, Kadri Veseli dhe në mbrëmje me Presidentin Hashim Thaçi, para se ky i fundit të dalë në një deklaratë publike të parashikuar për në orën 20:00, e para pas publikimit të aktakuzës ndaj tij.

Me këto takime mbyllet dita e parë e vizitës së Ramës në Prishtinë, ndërsa të martën konfirmohet deri më tani vetëm një takim me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe një konferencë për shtyp dhe ajo që vihet re deri më tani është mungesa e një takimi me kreun e LDK-së, Isa Mustafa.

Gjatë javës së kaluar, Kryeministri Edi Rama tha se me ngritjen e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve u barazua viktima me agresorin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë