Ngjarje

Aksioni për tritolin dhe armët e grupit nga Kosova përfshin dhe trupën e aktorëve që përfundon (gabimisht) disa orë në polici

Gazeta Si - Dritëro Azemi dhe Flaka Abdullahu janë dy shtetasit nga Kosova të shpallur në kërkim, të dyshuar si anëtarë të grupit kriminal që u godit nga policia e Tiranës dhe ku u sekuestruan 46 kilogramë tritol.

Pas kapjes së tyre, policia në Kukës dhe më pas ajo e Tiranës, shoqëroi gabimisht në polici edhe disa aktorë nga Kosova, për shkak se në makinën e tyre udhëtonte një vajzë me emrin Flaka, por jo ajo që është shpallur në kërkim.

Ndërkohë, Azemi figuron i shpallur në kërkim edhe në vitin 2022, për plagosjen e Shpëtim Metalias, ngjarje e ndodhur në një lokal nate në Tiranë.

Tre shtetasi nga Kosova, të arrestuar nga policia e Tiranës

Së bashku me 3 të arrestuarit e tjerë, gjithashtu nga Kosova, dyshohet se dy të kërkuarit nga policia kishin lidhje me bandat kriminale në Shkodër.

Hetuesit kanë nisur të hetojnë disa ngjarje të rënda si në Shkodër dhe në Tiranë, ngjarje të hershme me shpërthime tritoli, pasi ka dyshime se ky grup të jetë i përfshirë.

Të martën, policia e Tiranës njoftoi se kishte arrestuar Rigon Maliqin, 20 vjeç, Liron Pirën, 25 vjeç, Shkëlqim Halabakun, 27 vjeç, të tre banues në Gjilan.

Hetimi 4 mujor i sektorit të krimit të organizuar në Policinë e Tiranës u finalizua me sekuestrimin e 203 kallëpeve me peshë totale 46 kg.

Lënda eksplozive e sekuestruar nga policia shqiptare

Ngatërresa me 3 aktorët për shkak të emrit Flaka!

Por gjatë aksionit kundër trafikimit të armëve dhe lëndëve plasëse, ku u arrestuan 3 shtetas nga Kosova, policia shoqëroi në komisariatin e Kukësit edhe 3 aktorë nga Kosova.

Sipas policisë shqiptare, pas mjetit të parë tip “BMW” me targa të Kosovës, objekt kontrolli ishte edhe një automjet i dytë tip “Skoda”, i cili nga intervistimi i pasagjerëve, rezultoi se udhëtonin së bashku.

Automjetet së bashku me personat u shoqëruan në ambientet e DVP Kukës për verifikime të mëtejshme duke zbatuar procedurat standarde të shoqërimit.

Në vendin ku paguhet tarifa 5 euro e përdorimit të rrugës Durrës-Kukës, ndodheshin disa patrulla policie që kishin informacion se aty do të kalonin një grup i trafikimit të armëve nga Kosova, ku mes tyre ishte edhe një grua me emrin Flaka.

Fati i keq i trupës kosovare ishte fakti që mes tyre ndodhej gjithashtu një vajzë me emrin Flaka, por pa asnjë të përbashkët me Flakën që po kërkonte policia shqiptare.

Megjithëse artistët u përpoqën të sqaronin policinë se nuk ishin ata objektivi që efektivët kërkonin, kjo ishte e kotë.

Fillimisht u dërguan në komisariatin e Kukësit, e aty me sirena policie dhe forca speciale u dërguan në Tiranë.

Siç hetimet treguan më tej, grupi i artistëve nuk kishte lidhje me trafikantët, por në mesin e tyre, për rastësi, ishte një grua me emrin Flaka, por që më tej, nga ballafaqimi në polici, Rigon Maliqi deklaroi se nuk bëhej fjalë për të njëjtën grua.

Shoqërimi për disa orë në Kukës e Tiranë solli reagimin e artistëve të cilët pretenduan se janë fyer dhe denigruar nga policia.

Reagon Ministri i Brendshëm, Taulant Balla

Situatë që nxiti reagimin e ministrit të Brendshëm Taulant Balla, i cili sqaron se artistët nuk mund të liroheshin pa u bërë të gjitha verifikimet, e shton se për pretendimet mbi sjelljet e policëve ka nisur një hetim i thelluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

“Operacioni është plotësisht i dokumentuar dhe informoj me këtë rast opinionin publik në Kosovë se, citoj: Në datë 4 shkurt 2024, në orën 22.38, Salla Operative e Tiranës i ka dërguar informacion Sallës Operative Kukës se një mjet me targa të Kosovës, nëse konstatohej duhej ndaluar për shkak të një hetimi në ndjekje e sipër. Në ora 00:30, në Pikën e Kontrollit të vendosur në “Rrugën e Kombit”, Policia e Kukësit ka identifikuar mjetin tip “BMË”, ku pasagjer në vendin e parë ndodhej shtetasi kosovar Liron Pira, i shpallur në kërkim për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Pas mjetit të parë tip “BMË” me targa të Kosovës, objekt kontrolli, ishte edhe një automjet i dytë tip “Skoda”, i cili nga intervistimi i pasagjerëve, rezultoi se udhëtonin së bashku. Automjetet së bashku me personat u shoqëruan në ambientet e DVP Kukës për verifikime të mëtejshme duke zbatuar procedurat standarde të shoqërimit. Punonjësit e Policisë u kanë bërë me dije arsyet e verifikimit dhe shoqërimit, në bazë të kërkesës nga DVP Tiranë. Theksojmë se drejtuesi i mjetit ka pranuar dhe nuk ka kundërshtuar për asnjë moment punonjësit e policisë. Shërbimet e DVP Tiranë kanë udhëtuar drejt DVP Kukës menjëherë sa kanë marrë njoftim, dhe kanë marrë shtetasit e shoqëruar dy automjetet e lartpërmendura, duke kryer veprimet administrative sipas procedurës standarde të Policisë Shtetit”, shkruan Balla.

Ministri po ashtu sqaron se “sa i takon pretendimeve të ndonjë prej artistëve të trupës së përfshirë në objektin e operacionit, për keqtrajtim nga ana e Policisë së Shtetit, informoj se AMP ka nisur hetimin lidhur me këtë. Por pretendimi për orët e tepërta mbajtjes në polici të tyre nuk qëndron, përkundrazi Policia e Shtetit ka vepruar shumë më shpejt se sa afati standard i verifikimeve, pikërisht sepse ka pasur parasysh statusin e aktorëve të ndodhur në vendngjarje. Të cilët sidoqoftë nuk mund të liheshin të lirë pa u bërë të gjitha verifikimet. Së fundmi keqardhja mbetet dhe bëhet edhe më e madhe, kur në vend të mirëkuptimit për faktin se ky operacion rezultoi në kapjen e 203 kallëp tritoli, nxitet keqkuptimi dhe mllefi kundër uniformave blu të Republikës së Shqipërisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë