Ekonomi

Aksioni i Tatimeve nuk rriti të ardhurat, korriku 4.8% më pak se plani

Që prej fillimit të muajit korrik, qeveria ka nisur një betejë frontale me informalitetin, teksa inspektorët e tatimeve dhe doganave janë lëshuar në terren me kontrolle masive mbi biznesin.
Por, të dhënat e fundit nga Ministria e Financave tregojnë se të paktën për muajin e parë të aksionit, rezultatet në rritjen e të ardhurave kanë qenë zhgënjyese.

Sipas Financave, gjatë muajit të kaluar të ardhurat tatimore në buxhet, pra ato që mblidhen nga taksat, tatimet dhe kontributet ishin 4.8 për qind më pak sesa plani dhe vetëm 0.8 për qind më shumë sesa korriku i vitit 2018. Më konkretisht nëse për korrikun e vitit të kaluar administrata fiskale mblodhi 37.4 miliardë lekë të ardhura, këtë vit shifra ishte 37.7 miliardë lekë ose vetëm 300 milionë lekë më shumë.
Kjo është një rritje e papërfillshme, e cila e përkeqëson rendimentin fiskal të qeverisë. Vetëm si pasojë e inflacionit dhe zgjerimit të ekonomisë, pra pa asnjë përmirësim në administrimin fiskal, të ardhurat në buxhet duhet të ishin rritur të paktën me 3.5 për qind krahasuar me vjet.
Por, kjo nuk ka ndodhur dhe sipas shifrave problemi janë tatimet me doganat, ndërkohë që pushteti vendor ka një ecuri më të mirë. Paratë e mbledhura nga dy institucionet kryesore që ushqejnë buxhetin e shtetit, për korrikun e këtij viti ishin më pak sesa ato të korrikut 2018, veçanërisht për shkak të ecurisë së dobët të tvsh-së.
Në fillim të korrikut qeveria lançoi planin operacional kundër informalitetit. Muajin e kaluar fokusi i aksionit ishin bizneset e turizmit, të cilat për shkak të sezonit gjenerojnë një pjesë të madhe të aktivitetit ekonomik në vend. Këtë muaj qeveria e ka fokusuar luftën ndaj evazionit te bizneset e karburanteve dhe ato të ndërtimit.
Por, beteja e tatimorëve dhe doganierëve në terren, të paktën për muajin e parë të aksionit nuk i ka sjellë më shumë para arkës së shtetit. Nëse kjo situatë nuk do të ndryshojë as gjatë këtij muaji, atëherë qeveria duhet të nisë të shqetësohet seriozisht për financat e shtetit, të cilat kanë filluar të ndiejnë jo pak presione.
Burimi: Top Channel


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë