Shpresat për rifillimin e negociatave mes SHBA-së dhe Iranit i shtynë tregjet e aksioneve drejt niveleve historike, ndërsa sentimenti pozitiv u mbështet edhe nga parashikimet shumë të forta se do të mbyllet dhe hetimi ndaj kreut të Rezervës Federale, Jerome Powell.
Indeksi S&P 500 u rrit me afro 1% të premten, duke regjistruar serinë më të gjatë javore të rritjes që nga viti 2024. Presidenti Donald Trump pritet të dërgojë dy të dërguar në Pakistan për bisedime me përfaqësues iranianë. Ndërkohë, çmimi i naftës amerikane ra pranë 94 dollarëve për fuçi dhe yield-et e obligacioneve ranë pas vendimit të Departamentit të Drejtësisë për Powell, që mund të hapë rrugën për emërimin e Kevin Warsh në krye të Fed.
Tregjet po rrisin gjithashtu pritshmëritë për ulje të normave të interesit.
I dërguari special Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner, pritet të udhëtojnë gjatë fundjavës për bisedime, sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Sipas The New York Times, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, planifikon të takohet me delegacionin amerikan dhe të paraqesë një përgjigje me shkrim ndaj një propozimi për paqe.
Investitorët po ndjekin nga afër çdo sinjal mbi mundësinë e një marrëveshjeje, me shpresën për rikthimin e furnizimeve përmes Ngushticën e Hormuzit. Megjithatë, pavarësisht tensioneve gjeopolitike, fitimet e forta të kompanive dhe një ekonomi relativisht e qëndrueshme kanë mbajtur të fortë tregun e aksioneve.
Optimizmi është ushqyer edhe nga rikthimi i fuqishëm i sektorit të teknologjisë. Indeksi i prodhuesve të çipave u rrit për të 18-ën ditë radhazi, ndërsa Intel arriti nivele rekord. SAP raportoi të ardhura nga shërbimet cloud mbi pritshmëritë, ndërsa TSMC u rrit ndjeshëm pas lehtësimit të rregullave për investimet në aksione nga rregullatori financiar i Tajvanit.
Në të njëjtën kohë, Google planifikon të investojë 10 miliardë dollarë në Anthropic, me mundësi për edhe 30 miliardë të tjera, duke forcuar garën në fushën e inteligjencës artificiale.
Në fokus tani janë rezultatet financiare të pesë prej kompanive të njohura si “Magnificent Seven”: Amazon, Alphabet, Meta, Microsoft dhe Apple, të cilat pritet të publikohen javën e ardhshme./Bloomberg
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje