Futboll

Aksidentohet trajneri i Argjentinës, në gjendje të rëndë

Incident i rëndë për trajnerin e Argjentinës, Lionel Skaloni, i cili është goditur nga një makinë, teksa ishte duke ecur me biçikletë. Skaloni ka marrë plagë të rënda në gjithë trupin dhe pasi ka marrë ndihmën e parë në vend, është transportuar me shpejtësi për në spital. Incidenti ka ndodhur në Maiorka, në parkimin e një shkolle. Makina ishte duke ecur mbrapsht dhe përfundoi në trotuarin ku po ecte me biçikletë trajneri i Argjentinës. Skaloni është transportuar në spitalin “Son Espases” për një mjekim të specializuar, siç bën me dije e përditshmja spanjolle “AS”.

Ngjarja ka ndodhur gjatë paradites, në parkimin e shkollës Agora, në Puerto Portals, pranë Maiorkas. Goditja nga makina ka qenë e fortë dhe trajneri Skaloni ka rënë në tokë. Ai ka pësuar një traumë faciale, por ka marrë edhe plagë të tjera në gjithë trupin. Tani argjentinasi është nën kujdesin e mjekëve, që janë të rezervuar për diagnozën. Gjendja e tij për momentin është e rëndë dhe pritet që mjekët të japin më shumë detaje.

Lionel Skaloni, trajneri i Argjentinës

Lionel Skaloni e ka marrë drejtimin e Argjentinës pas largimit të Horge Sampaolit dhe është trajner i përkohshëm te kombëtarja e Lionel Mesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë