Ngjarje

Aksidenti tragjik në Berat, nëna 25-vjeçare kishte vetëm 20 ditë që kishte marrë patentë

Gazeta Si - Klaudia Xhaferaj, e cila humbi jetën bashkë me djalin e saj, pasi ranë në lumin Osum me makinë, kishte vetëm 20 ditë që kishte marrë lejen e drejtimit.

Edhe pse pa eksperiencë në makinë, 25-vjeçarja u fut në një parakalim të gabuar, që i kushtoi jetën bashkë me djalin 6-vjeçar.

Sipas ekspertizës paraprake vdekja është shkaktuar nga mbytja si pasojë e qëndrimit të gjatë në ujë.

Dyshimet e forta të ekspertëve, janë se shkak i aksidentit u bë humbja e kontrollit të mjetit dhe paaftësia e shoferes së re për të manovruar situatën.

Makina nuk ka qenë me shpejtësi të lartë pas devijimit nga rruga, megjithatë ka mundur të thyejë edhe kangjellat buzë lumit Osum.

Pamjet e kamerave të sigurisë, treguan se pak sekonda më herët, 25-vjeçarja kishte parakaluar një mjet dhe rrezikoi të përplaset me një kamion që lëvizte në sens të kundër.

Një kamera tjetër, tregonte që pasi shmang përplasjen, mjeti bën një kthesë të pashpejgueshme në rrugë, del në trotuar dhe përfundon në lumë.

Në asnjë moment, të paktën në video, nuk shihet tentativë nga ana e të resë që drejtonte makinën për të marrë kontrollin apo ndaluar mjetin.

Nënë e bir përfunduan të bllokuar brenda makinës "Benz" në mes të Osumit, nga ku u nxorrën dëshmirët që u gjenden aty.

Banorët e zonës kishin mundur ta nxirrnin të miturin të gjallë nga mjeti, por për fat të keq ai ka mbërritur i vdekur në spital.

Një ditë pas aksidentit tragjik, Drejtoria e Shërbimeve pranë Bashkisë Berat ka filluar punën për riparimin e kangjellave në anë të trotuarit të rrugës urbane "Antipatrea".

Një punonjës i mirëmbajtjes në Bashkinë Berat, shprehet se kangjellat në anë të trotuarit kanë funksion mbrojtës për këmbësorët dhe jo për automjetet. Sipas tij, barrierat metalike vendosen në rrugë nacionale, autostrada dhe jo në mes të qytetit.

Në periudha të ndryshme këto barriera kanë qenë prej hekuri dhe kollona betoni, më pas u bënë me pllaka betoni.

Ndërsa ka disa vite që janë me kangjella, duke iu përshtatur edhe zonës midis dy lagjeve muzeale, Goricë dhe Mangalem.

Sipas burimeve të specialistëve rrugorë, aksidenti është shkaktuar si pasojë e humbjes së  kontrollit nga ana e drejtueses së mjetit dhe paaftësia e saj për të manovruar në parakalim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë