Ka ndodhur

Video/ Tragjedi në Berat, makina bie në lumë. Nëna humb jetën bashkë me të birin 6 vjeç

Gazeta Si - Një nënë në moshë te re dhe djali i saj 6 vjeç, kanë humbur jetën në mënyrë tragjike, pasi automjeti me të cilin udhëtonin përfundoi në ujërat e lumit Osum.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në vendin e quajtur Ura e Goricës, në rrugën hyrëse të qytetit të Beratit.

Mësohet se makina tip "Benz" me drejtuese Klaudia Xhaferajn, ka devijuar nga rruga dhe ka përfunduar në lumë. Për pasojë ajo ka humbur jetën bashkë me djalin e saj 6-vjeçar, i cili ndodhej në mjet.

Në një moment, makina e bardhë e cila po ecte në korsinë e saj dhe duket se humb kontrollin dhe hipën mbi trotuar, duke thyer kangjellat dhe rënë në lumin Osum

Pikërisht në këtë zonë, në pjesën e barrierës së thyer, policia ka vendosur shirita sigurie për të vijuar hetimet.

Ishin banorët e zonës ata që nxorën fëmijën të gjallë, duke thyer xhamin e makinës që ndodhej në lumë, por fatkeqësisht vogëlushi nuk ka mundur dot të mbijetojë.

Më pas, me mbërritjen e zjarrfikësve dhe ambulancës, është bërë e mundur dhe nxjerrja e drejtueses së mjetit.

Ende nuk dihen sesi kanë qenë rrethanat e aksidentit, por dyshohet se gruaja ha humbur kontrollin duke rënë në lumin Osum.

Në rrugë jo zyrtare, policia ka ngritur dy pista për aksidentin tragjik. E para është se nëna mund të ketë kthyer kokën nga djali i saj dhe për pasojë ka humbur drejtimin.

Ndërsa pista e dytë, dyshohet që shkak i aksidentit të jetë bërë përdorimi i aparatit celular gjatë kohës së drejtimit së makinës.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje po kryen veprimet për zbardhjen dhe shkaqet e aksidentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë