Futboll

Akord historik në SHBA, pagesë e njëjtë për meshkujt e femrat

Gazeta Si - Futbolli amerikan bën një hap shumë të rëndësishëm përpara. Së fundi është arritur një akord zyrtar për barazinë në pagesa mes futbollistëve dhe futbollisteve. Pagesë e njëjtë për të dyja kombëtaret amerikane.

Pulisiç, ylli i kombëtares amerikane. Gazeta Si, 18 maj 2022

Fedarata Amerikane e Futbollit ka bërë të ditur zyrtarisht firmosjen e marrëveshjes kolektive. Një marrëveshje, që skadon në vitin 2028 dhe që garanton pagesën e njëjtë për meshkujt dhe femrat.

Në këtë marrëveshje përfshihen edhe shpërblimet e Botërorit, si dhe mekanizmi i shpërndarjes të të ardhurave komerciale për të dyja kombëtaret amerikane.

Federata Amerikane, duke u nisur edhe nga popullariteti gjithmonë në rritje i futbollit të femrave, bëhet e para në botë që garanton të njëjtën shifër për kombëtaren e meshkujve dhe për atë të femrave për pjesëmarrjen në Botëror. Kujtojmë që kombëtarja e femrave është kampione në fuqi e botës.

Jo vetëm pagesë e njëjtë. Marrëveshja e fundit përfshin edhe aspekte të tjera, që nuk kanë të bëjnë me anën ekonomike. Të tilla janë privatësia, siguria dhe shëndeti.

“Është pa dyshim një moment historik. Marrëveshja që kemi arritur ndryshon përgjithmonë futbollin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe këto akorde kanë potenacialin për të ndryshuar futbollin në botë”, - ka theksuar Parlow Cone, presidenti i ‘US Soccer’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë