Nga Gazeta ‘SI’ – 1 janari i 2023-shit, njësoj si ata paraardhës, do të sjellë shtrenjtimin e produktit të duhanit në vend me 5 deri në 10 lekë për paketë. Akciza e vendosur 5 vite më parë synonte rritjen e çmimit për këtë produkt për të ulur më pas konsumin në popullsi.
Por sipas statistikave të drejtorisë së doganave në Shqipëri në 11 mujorin 2022, importi i cigareve arriti pothuajse 3.000 ton, dhe rreth 800 i përkasin vetëm muajit nëntor. Kjo sipas operatorëve të tregut sepse ata po përgatiten për akcizën dhe po përfitojnë nga diferenca në çmime.
Gjithsesi, në disa pika shitjesh akciza është fuqizuar në ditët e fundit të dhjetorit 2022, për shkak se furnizuesit i shesin ato disa lekë më shtrenjtë.
Pikat e tabakinove në kryeqytet pranuan se ata i kanë rritur çmimet nga pak ditë sepse ashtu i ka ardhur fatura nga furnizuesit e mëdhenj. Fillimisht ka ndodhur me firmën Marlboro, LM, Lucky Strikes etj.
Përveç cigares, akcizës i nënshtrohet dhe birra vendase, por këtë herë e ndryshuar duke u unifikuar, në 710 lekë për 100 litra birrë të prodhuar. Rritje që do t’i sjellë buxhetit të shtetit 260 mln të ardhura shtesë dhe rritje të çmimit fundor në 2.3 lekë për kanaçe dhe 7.1 lekë për litër.
Por në të njëjtën datë, shfuqizohet akciza për bateritë e makinave elektrike, me efekt negativ në buxhetin e shtetit, -50 mln lekë, si formë subvencionimi dhe nxitje të kursimit të energjisë dhe rritjes së asaj të rinovueshme.
Për të njëjtën arsye, nga 1 janari në 31 dhjetor 2023, përjashtohen nga TVSH-ja në import dhe në furnizimet brenda vendit, produktet si dru zjarri, paleta për ngrohje etj.
Gjithashtu, Bursa Shqiptare e Energjisë që pritet të nisë punën vitin e ardhshëm, do të përjashtohet nga TVSH-ja në import apo furnizimi brenda vendit për energjisë elektrike të destinuar që do të shesë duke i kaluar personit të tatueshëm për të cilin kryhet furnizimi me energji elektrike nëpërmjet mekanizmit të revers charge (autongarkesës).
Një tjetër ndryshim madhor do të ndodhë në financat e sektorit të energjisë elektrike, ku HEC-et e mëdha private do të “taksohen” me 50% të fitimit ekstra që kanë pasur gjatë vitit 2022 për shkak të rritjes së çmimeve në bursë. Ndonëse MFE e ka quajtur këtë si “kontribut” dhe jo taksë sepse nuk do të llogaritet si e ardhur fiskale, ky vendim pritet të sjellë 8 mld lekë më shumë në vit në buxhet. Ai pritet të jetë në fuqi deri më 31 dhjetor 2024, por varet nga ecuria e çmimeve.
Ndryshimet tatimore që do të prekin biznesin janë ato të gjobave, ku për bizneset e mëdha në rast se malli nuk shoqërohet me faturë, do të gjobiten me 500 mijë lekë nga 75 mijë që gjobiteshin më herët.
Në arkat e tyre do të ketë një limit parash cash deri në 150 mijë lekë, si rrugë për të minimizuar qarkullimin e parasë së thatë dhe rritjen e asaj elektronike.
Ndërkohë, në buxhetin 2023, është llogaritur dhe efekti i basteve online në buxhet, 2 mld lekë nga tatimi, por sipas ministres së Financave Delina Ibrahimaj, ligji që e legjitimon këtë aktivitet do të miratohet tremujorin e parë 2023.
Një tjetër ligj që pritet të miratohet vitin e ardhshëm është ai i Tatimit mbi të Ardhurat, që u kundërshtua fort nga grupet e interesit dhe u rikthye përsëri në hartim dhe konsultim. Ligji i TAP pritet të fusë në skemën e TVSH-së profesionet e lira, të vetëpunësuarit, kriptomonedhat, lojërat e fatiti etj, të zgjerojë shpenzimet e zbritshme dhe të rrisë pragun e patatueshëm të pagës minimale.
Në komisionet ndërparlamentare të Ekonomisë, u fol edhe për përfshirjen e akcizës në pijet energjetike dhe ato me gaz, por një ndryshim i tillë nuk është reflektuar në vendime. Akciza për naftën po ashtu nuk ka pasur rishikime, duke mbetur përsëri 38 lekë/litër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.